Koka dhe jeta janë më të vlefshme se çdo pasuri në botë, dhe asgjë nuk ka më rëndësi se sa ato…
Kjo i ka ndodhur edhe Sahraa Karimi, regjisores afgane që doli në titujt kryesorë këtë javë me lutjet e saj drejtuar komunitetit ndërkombëtar të kinemasë, pasi situata u përkeqësua në vendin e saj.
Skena kaotike dhe shqetësuese janë transmetuar nga aeroporti i Kabulit ditët e fundit, pasi talibanët morën me shpejtësi kontrollin e kryeqytetit, duke bërë që shumë të kërkojnë dëshpërimisht një rrugë shpëtimi për të shmangur persekutimin.
“Miq të mi të dashur mos u shqetësoni, unë jam mirë dhe e sigurt”,- kishte shkruar Karimi në Twitter.
Ajo vazhdoi me një postim tjetër në të cilin falënderoi Wanda Hrycova nga Akademia Sllovake e Filmit dhe TV, Ambasadën e Sllovakisë në Iran, qeverinë ukrainase dhe qeverinë turke, që e ndihmuan të ikte nga Kabuli së bashku me 11 persona të tjerë të paidentifikuar (që besohet të jenë familjarët e saj).
Sahraa kishte pritur në radhë për gati tre orë në përpjekje për të tërhequr para nga një bankë në Kabul, të dielën, kur menaxheri erdhi dhe i tha të largohej, ndërsa zhurma e të shtënave dëgjohej në largësi, transmeton Deadline.
Regjisorja dhe gruaja e parë që drejtoi Organizatën Shtetërore të Filmit në Afganistan, vendosi të shpëtojë veten, vëllezërit dhe të afërmit e saj, edhe pse e dinte se kishte kaos në aeroport.
Nga një hotel në Kiev të Ukrainës, Karimi ka rrëfyer për “Reuters” se, si dukej arratisja e saj, të cilën arriti ta realizojë, siç tha ajo, me ndihmën e qeverive turke dhe ukrainase.
“Mblodha familjen time. U largova nga shtëpia, lashë makinën, lashë paratë, lashë gjithçka që kam”, ka rrëfyer 36-vjeçarja. Ajo ishte e mërzitur për kthimin e sundimit taliban duke thënë se kjo do ta rrezikonte industrinë e filmit dhe të drejtat e grave.
“Ata nuk e mbështesin artin, nuk e vlerësojnë kulturën dhe kurrë nuk do të mbështesin gjëra të tilla”, është shprehur Karimi, duke shtuar se ata kanë frikë nga gratë e arsimuara dhe të pavarura. Siç vuri në dukje ajo, talebanët duan që gratë të jenë “të fshehura, të padukshme”.
Regjisorja, filmi i të cilës “Hava, Maryam, Ayesha” u prezantua në Festivalin e Filmit në Venecia në vitin 2019, postoi një video në Instagram që e shfaqte atë duke vrapuar nëpër rrugët e Kabulit, sepse nuk mund të gjente një taksi për ta marrë në shtëpi nga banka.
Karimi dhe familja e saj duhej të ishin në një aeroplan që evakuoi qytetarët ukrainas, por për shkak se mijëra afganë u mblodhën në aeroport me shpresën për të shpëtuar, ata nuk mund të hipnin në aeroplan.
“Momenti kur humbëm aeroplanin e parë ishte momenti më i trishtë i jetës sime, sepse mendova: ‘Mirë, nuk mund të shkojmë më, po qëndrojmë”, ka treguar ajo, duke shtuar se ishte e shqetësuar se talibanët do ta shënjestronin familjen e saj.
Ajo donte që mbesat e saj të jetonin në një vend ku do të kenë liri dhe do të mund të arsimohen. “Si qenie njerëzore, duhet të keni vlerë, por sipas rregullave të talibanëve, në rregull, jetoni, por një jetë të mjerueshme”,- thekson filmbërësja.
Fotografitë e afganëve që nxitonin drejt aeroplanit ushtarak amerikan dhe mbaheshin në pjesët e tij, po qarkullonin në mediat sociale këtë javë.
“Shumë njerëz erdhën në aeroport dhe disa vetëm përqafuan aeroplanin, donin të largoheshin. Ata ishin aq të pashpresë”,- ka deklaruar Karimi.
Pasi humbi aeroplanin e parë, Sahraa kontaktoi oficerët që po e ndihmonin përsëri. Ajo u tha të largohej nga turma, dhe disa orë më vonë, zyrtarët, identitetin e të cilëve nuk e bëri të ditur, e çuan familjen e saj në një pjesë tjetër të aeroportit, nga ku hipën në një fluturim turk për në Ukrainë.
/Priza.al/