Publikohen disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që përkasin një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ndodhet një korrespodencë në mes krerëve më të lartë të regjimit komunist të asaj kohe, si: Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai, etj, të cilët me anë të relacioneve të ndryshme dhe raport-informacioneve të përpiluara prej tyre, i bëjnë me dije udhëheqjes së lartë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me situatën e vështirë politike dhe ekonomike që po kalonte vendi ynë, para dhe pas prishjes së marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake me Republikën Popullore të Kinës.
Korespondenca e plotë në mes drejtuesve kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komiteteve të Partisë dhe atyre Ekzekutive të rretheve, si dhe Degëve të Punëve të Brendshme në qytete të ndryshme, për bisedat e komentet pozitive dhe ato negative që bëheshin nga njerëz të ndryshëm, si intelektualë, punëtorë, ushtarakë dhe fshatarësia kooperativiste, si dhe nga “elementët e deklasuar dhe armiq”, lidhur me situatën në të cilën ndodhej vendi pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë, me Republikën Popullore të Kinës dhe çdo të ndodhte pas kësaj me vendin e vogël komunist të Ballkanit, që propagandonte se ‘do të ndërtonte socializmin, vetëm me forcat e veta’?!
Në fillimin e vitit 1978, si rezultat i përkeqësimit të marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë komuniste me Republikën Popullore të Kinës, gjë e cila kishte filluar të merrte të çarën e parë që nga fillimi i viteve ’70-të kur Kina Popullore e Mao Ce Dunit me anët të “politikës së ping-pongut” filloj të afrohej me SHBA-ve dhe priti në Pekin sekretarin e Departamentit të Shtetit, Henry Kissinger dhe më pas Presidentin Nikson, duket se Tirana zyrtare “vuri alarmin”.
Veç të tjerash, kjo gjë duket qartë edhe nga një numër i madh dokumentesh zyrtare të asaj kohe, ku ndodhen korrespondencat “Tepër secrete” të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministrisë se Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe Komiteteve të Partive e atyre Ekzekutive në rrethe dhe Degëve të Punëve të Brendshme, në të cilat pasyrohet qartë jo vetëm qëndrimi zyrtar i udhëheqjes së lartë të PPSH-së me në krye Enver Hoxhën, por në përgjithësi edhe ai i shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare, (intelektualë, punëtorë, fshatarësia kooperativiste, ushtarakë, nxënësit e shkollave dhe studentët, komunistë, “elementë të deklasuar dhe armiq”, etj.), ndaj Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë kineze, lidhur me ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve politike, ekonomike, dhe ushtarake prej saj në 28 korrikun e vitit 1978.
Kështu, ish-aleati më i afërt i Tiranës zyrtare që nga fillimi i viteve ‘60-të, Kina komuniste e Mao Ce Dunit, befas do të shndërrohej në armikun më të madh ideologjik të saj, pas SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Kjo gjë duket qartë nëpër rreshtat e këtyre dokumenteve që mbajnë siglën “Tepër sekret”, ku vërehet frika e madhe dhe paranoja e thellë që ka mbërthyer regjimin komunist dhe krerët më të lartë të udhëheqjes së saj, që nga: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai, etj., e deri poshtë në bazën e atij pushteti me zyrtarët e pushtetit lokal, të cilët e trasmetonin atë ankth e pasiguri, tek njerëzit e thjeshtë, nxënësit e shkollave, punëtorët, e deri tek fshatarësia kooperativiste.
Këto dokumente që shohin për herë të parë dritën e botimit nga Memorie.al, janë një pasqyrë e qartë e gjendjes dhe e situatës së nderë në të cilën ndodhej asokohe regjimi komunist dhe Tirana zyrtare, sidomos pas “Letrës së hapur”, drejtuar udhëheqjes kineze, që akuzonte atë për “tradhti të lartë ndaj kursit dhe vijës së marksizëm-leninizmit”.
Në kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, ku udhëheqja e lartë e regjimit komunist, e ngritur e gjitha në një alarm, ka mobilizuar të gjithë makinerinë shtetërore dhe strukturat e saj, me në krye Sigurimin e Shtetit, për ta mbajtur situatën nën kontroll të plotë.
Dhe kryesisht duke survejuar kundërshtarë politik të saj, të cilat i konsideronte si ”element të deklasuar dhe armiq të klasës”, gjë e cila zë një vend kryesor në këto raport-informacione, ku organet e Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu dhe zëvëndsave të tij, si Feçor Shehu, Rexhep Kolli etj., informojnë me detaje udhëheqjen e lartë, kryesisht, Hysni Kapon, (anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i K.Q. të PPSH-së, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së proletariatit’) për gjithçka që fliste dhe komentonte “armiku i klasës”, në çdo rreth të vendit, si dhe komentet pozitive që bëheshin edhe prej tyre.
Kjo gjë dhe të tjera, duken më së miri në këto dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, ku ish ”vëllezërit kinezë”, që asokohe punonin në Shqipëri, si kuadro dhe specialist në vepra të ndryshme industriale nga Jugu në Veri të vendit, si: Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Uzina e Ferro-kromit në Burrel, Fabrika e Letrës në Lezhë, Baza Ushtarake e Pashalimanit, Uzina e Tankeve dhe Artilerisë në Shish-Tufinë, Uzina e Municioneve Luftarake në Mjekës të Elbasanit, Uzina e Prodhimit të Armëve në Poliçan, etj., tashmë janë kthyer në “agjent, sabotatorë e komplotist” dhe përgjohen kudo dhe në çdo hap të tyre.
Paisjet, armatimet dhe gjithë teknologjia ushtarake, duke filluar nga tanket, avionët, nëndetëset, silurat, artileria e rëndë, etj., me të cilat Republika Popullore e Kinës prej vitesh kishte furnizuar falas Shqipërinë komuniste, tashmë rezultonin “me defekti të rënda” dhe të sabotuara nga “revizionistët kinezë”.
Një gjë e tillë, pra ajo “tablo sinoptike” që po kalonte regjimi komunist para dhe pas prishjes me Kinën, identik, ishte parë disa herë ndër vite, kur Tirana zyrtare me në krye Enver Hoxhën, vendoste të shkëpuste marrëdhëniet me shtetet që deri në momentin e fundit i kishte pasur “aleatet” më të ngushta të saj, si Anglo-amerikanët, Jugosllavia e Titos e Bashkimi Sovjetik i Stalinit dhe atyre që e pasuan atë, si Hurshovi, Brezhnjevi, etj.
Seria e “miqve-armiq”, nisi me misionet anglo-amerikane, të cilat derisa u dëbuan nga vendi në nëntor të vitit 1946, ishin “çlirimtarë dhe kontribues të vërtetë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ndërsa më pas u kthyen në vendet dhe shtetet më të urryera dhe më të padëshiruara për komunistët shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhte me jugosllavët, të cilët kur u dëbuan nga Shqipëria në vitin 1948-‘49, u konsideruan “revizionistë dhe agjentë të Perëndimit”.
Për të vijuar më pas me “vëllezërit sovjetikë të baba Stalinit”, aleatin më të ngushtë të Shqipërisë komuniste të cilët pas vitit 1961, u konsideruan nga Tirana zyrtare, si “revizionistët më të rrezikshëm që kishte njohur bota deri në atë kohë”. Dhe kjo gjë, do të përsëritej identik edhe me kinezët, gjë e cila u bë publike zyrtarisht, atë fund-korriku të nxehtë të vitit 1978, kur pas “Letrës së Hapur” të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Këshillit të Ministrave të Republika Popullore të Shqipërisë, dërguar qeverisë kineze dhe Partisë Komuniste të Kinës, Kina tërhoqi nga Shqipëria të gjithë specialistët e saj, civilë dhe ushtarakë?!
Raport-informacion i Drejtorit të Drejtorisë së III-të në Ministrinë e Brendshme (Drejtoria e Zbulimit me jashtë), Mehmet Çaka, drejtuar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hekuran Isai
Shokut Ramiz
Mendoj të njiheni me informacionin që bën fjalë, ndër të tjera dhe për interesimin e kinezëve dhe përgjigjet e dhëna nga Dollanci për marrëdhëniet me vendin tonë, gjatë vizitës së Titos në Kinë. Ky informacion iu dërgua shokut Mehmet dhe shokut Hysni
Me respekt Feçor Shehu
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E III Nr. 572
Tiranë, me 14.4.1978
I N F O R M A C I O N
Nga burimet tona informohemi se:
Në aktivin politik të Prishtinës duke folur për vizitën e Titos në Kinë, Stane Dollanci theksoi se Hua Kuo Feni pyeti Titon se si i keni marrëdhëniet me partinë më të vjetër në Ballkan (PPSH-në). Tito i tha se për këtë do t’ju informojë Dollanci. Në përgjigjen e tij, Dollanci u tha se Stalini u kishte lënë dorë të lirë jugosllavëve që të aneksonin Shqipërinë, por udhëheqja jugosllave nuk pranoi një gjë të tillë. Nga ana e saj Jugosllavia i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë shumë të madhe në të gjitha fushat. Shkaktar për acarimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve është Stalini. Aktualisht udhëheqja jugosllave është për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë në të gjitha fushat.
Në fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit, po zhvillohet një cikël leksionesh mbi politikën e jashtme kineze, sidomos për qëndrimin kinez ndaj Tajvanit, marrëdhëniet kino-amerikane, kino-sovjetike, kino-jugosllave, si dhe marrëdhëniet e saj me organizatat ndërkombëtare, program që do të vazhdoj dy muaj.
Në leksionin që mbajti para disa javësh një përfaqësues i “TANJUGUT” në Pekin, ndër të tjera theksoi këto momente të politikës kineze:
-Hapja e Kinës në marrëdhëniet me të gjitha shtetet e tjera e sidomos me SHBA-ve.
-Tendencat kineze për përmirësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, pavarësisht se propagandojnë rrezikun sovjetik.
-Përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve me Jugosllavinë në të gjitha fushat e drejtimet.
-Kontraditat politike dhe ideologjike me PPSH-së dhe me Republikën Popullore të Shqipërisë, për problemet e politikës së jashtme. Referuesi theksoi se deri me tani asnjëra palë nuk ka dalë hapur me kritika direkte.
Kuadrot drejtuese kosovare janë të pakënaqur me varrimin e eshtrave të Hasan Prishtinës në Kukës. Mahmut Bakalli, në një bisedë të ngushtë, lidhur me këtë është shprehur se Hasan Prishtina është kosovar dhe duhej të varrosej në Kosovë.
Meqense udhëheqësve shqiptarë u shkoi ndërmend për tërheqjen e eshtrave të tij nga Greqia, të na kishin informuar edhe neve dhe së bashku të vendosnim se ku do t’i varrosnim. Në rast se do të pyeteshim, ne mund të binim dakord që eshtrat të varroseshin në Vlorë, ose në Tiranë, si figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare, por nuk është mirë që ato të varroseshin në Kukës”.
Problemet i kemi në ndjekje.
DREJTORI i DREJTORISE SE III –të
(MEHMET ÇAKA)
Raport-informacion i sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Vlorës, Gaqo Nesho, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hekuran Isai
PARTIA E PUNES SHQIPERISE SEKRET
KOMITETI PARTISE RRETHIT VLORE Ekzemplar Nr. 1 Nr. 1234
Vlorë, më 15/7/1978
KOMITETIT QENDROR TE PPSH-së
SHOKUT HEKURAN ISAI
Lënda: Mbi komentet dhe parrullat armiqsore sipas vlerësimit dhe drejtimit të tyre mund t’i grupojmë:
NE DREJTIM TE SITUATES SE JASHTEME
Lidhur me Kinën: “Këta u prishën me Kinën dhe mbetën si peshku pa ujë”
Elementët në përpunim të drejtimit jugosllav, kanë bërë këto komente armiqësore: “Pse i madhi i partisë në Gjirokastër, foli vetëm për një grusht popull të Dropullit dhe nuk foli për popullin kosovar dhe maqedonas që është një popull i madh. Ay foli për këta se ka frikë nga shteti grek se mos e sulmon”.
“Se Tito është shumë i zoti, se ai ka fituar autoritetin dhe simpatinë e gjithë botës”. “Se jeta ekonomike në Jugosllavi është shumë më e mirë se në vendin tonë”. “Edhe sikur të duan këta që të shkoj Kosova me Shqipërinë, vetë kosovarët nuk pranojnë të ndahen nga Titua, sepse ay ka krijuar një gjendje ekonomike shumë të mirë, se çdo shtëpi ka veturë etj”.
Elementët në përpunim të drejtimit grek, kanë konstatuar: “Duket sikur marrëdhëniet më Greqinë janë normalizuar, grekërit mendojnë më thellë dhe që t’i kuptosh, duhet të jesh kokë, ata kanë qëllimet e tyre, lëre se ç’thonë këta, gënjejnë…”.
Elementët në drejtim të zbulimit sovjetik kanë komentuar; “Shkenca sovjetike është minë e përparuar dhe këta sado që të mësojnë nuk ja arrijnë sovjetikëve. Këta çdo gjë e duan me kobure,nuk kanë bukë të hanë dhe mendojnë për shkencën…”
NE DREJTIM TE SITUATES SE BRENDESHME
Elementët e deklasuar, të shpronësuar dhe me qëndrim kë keq janë shprehur: “Këta janë borgjezuar. Se situata në vendin tonë nuk është shumë e mirë, por por neve është e favorshme. Tani që u prishën dhe me Kinën do të mbeten vetëm. Së shpejti do të ketë ndryshime në Shqipëri dhe neve do të shpëtojmë nga këta, por ku do të venë këta që na kanë pirë gjakun. Flasin si bilbila se është koha e tyre, por na erdhi koha neve dhe do të dimë si të flasim”.
-Tre vëllezërit Frashëri kanë qenë armiq, të pasur dhe kanë rrjepur popullin. Kështu është edhe i madhi i Partisë…”. ”Se jashtë shtetit bëhet jetë e mirë dhe ka liri…”. “Se këtu ligjet janë të vjetra dhe të forta…” etj.
B) Në drejtim të ekonomisë: “Jeta në vendin tonë është e rëndë, nuk jetohet më bukë thatë, se jashtë shtetit punon 4 orë dhe jeton një javë”. “Në kooperativat bujqësore punojnë rreth 10-12 orë dhe nuk po shohin ndryshim. Të gjithë punojnë vetëm për këta qenër, 90% e popullit punojnë më kazëm, 10% bredhin me vetura dhe bëjnë qejf”.
C) Në aspektin e Artit dhe Kulturës – Intelektualë të rinj me qëndrim armiqësor kanë folur: “Këtu në Shqipëri e gjithë rinia është e pakënaqur, pjesa më e madhe e njerëzve janë të internuar dhe nëpër burgje. Edhe Qemal Stafën këta e kanë vrarë, pa lerë se çfarë thonë se e kanë vrarë armiqtë”. “Po të shikosh ekzpozitën, të gjitha janë vetëm për udhëheqësin kryesor, kush e di se çfarë ka bërë ky, na ka futur thikën në palcë, bile dhe shokëve të tij, saqë në çdo fjalim i thurin lavde vetëm atij…”!
-Disa intelektualë të vjetër me prejardhje dhe qëndrim armiqësor kanë folur: “Se shkrimtari anglez i ka kënduar së bukurës….Se tani nuk lejohet të hapin shtëpi publike…” e të tjera koncepte degjeneruese, që kërkojë të përhapin shthurje dhe degjenerim.
Në drejtime të tjera:
-Gjatë kësaj periudhe janë ndjekur pesë persona për tentativë arratisje. Katër prej tyre janë arrestuar. Tani ndiqen dy persona për tentativë arratisje. Përpunime për terror dhe diversion nuk kemi.
Në tërë këtë aktivitet armiqësor janë aktivizuar 176 persona. Prej tyre 79 banojnë në qytet dhe 97 veta në fshat. Shumica ishin në kontroll operativ, me përjashtim të 23 personave. Është pozitive se kemi pasur 34 denoncime nga masa.
Komentet dhe parrullat armiqësore kanë qenë më të theksuara në qytetin e Vlorës, Himarës, Dhërmiut, Dukat, Nartë dhe Selenicë.
Për t’ju kundër vënë kësaj veprimtarie nga ana tonë janë marrë këto masa: U arrestuan 4 persona, u këshilluan 14 persona dhe u demaskua një. Simbas të dhënave që kemi pasur, në këto zona dhe fshatra kemi bërë një punë ideo-poilitike me masat.
Dekllarata e ATSH-së lidhur me Kinën u punua në mënyrë të organizuar në të gjitha kolektivat punonjëse të rrethit brenda dy ditëve. Kudo gjeti aprovim dhe besim në vijën e drejtë të PPSH-së dhe marrën zotime për të përballuar situatën që do të krijohet nga prerja e një anëshme e furnizimeve Kineze dhe tërheqjen e specialisteve të tyre.
/Burimi: Memorie.al/