Lufta me flakët dhe situata e rëndë me zjarret që u krijua në ditët e para të gushtit në Gjirokastër, i mori jetën çiftit të bashkëshortëve Haxhiaj në fshatin Asim Zeneli.
Ka qenë pikërisht kjo tragjedi ajo e cila i ka kushtuar vendin e punës kreut të zjarrfikëses në këtë qytet.
Bëhet me dije se është shkarkuar sot nga detyra shefi i zjarrfikës Gjirokastër, Kujtim Bizhga, vendim ky i marrë me propozim të kryebashkiakut Flamur Golemi.
Bizhga është zëvendësuar në këtë detyrë nga gjenerali Pëllumb Shalarin, me një eksperience në fushën ushtarake.
Zjarret rrezikuan seriozisht 3 fshatrat Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo në Gjirokastër, ndërsa tragjikisht humbën jetën Andrea Haxhiaj dhe Tatjana Haxhiaj.
Andrea Haxhiaj, 64 vjeç, në përpjekje për të shuar zjarrin që i kishte ardhur pranë banesës së tij, ndërroi jetë më 3 gusht në fshatin Asim Zeneli në Gjirokastër si pasojë e flakëve që rrethuan banesën e tij. Haxhiaj tentoi të shuaj zjarrin në vreshtin që kishte në oborr, por si pasojë e flakëve ndërroi jetë.
Vetëm 8 ditë pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, ndërroi jetë edhe bashkëshortja e tij e cila kishte pësuar djegie të mëdha në trup dhe nuk mundi të mbijetonte.
/Priza.al/