SPAK ka kërkuar 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llallën. Duke zbritur 1/3 nga gjykimi shkurtuar mbetet 1.4 vite burg. SPAK ka kërkuar edhe përjashtimin me 5 vite të Adriatik Llallës nga funksionet publike.
Ish-prokurori akuzohet për “refuzim për deklarim”, “mosdeklarim”, dhe “fshehje ose deklarim pasurie” . Llalla u hetua dhe për vepra të tjera penale, përfshirë pastrimin e parave, por ai u dërgua për gjykim vetëm për fshehje të pasurisë.
Dhjetorin e vitit të kaluar, GjKKO vendosi sekuestrimin e 5 pasurive të paluajtshme t ëish-prokurorit. Vendimi u mor pas një kërkese të Prokurorisë së Posaçme, e cila po heton ish-kryeprokurorin për ligjshmërinë e pasurisë, në kuadër të ligjit anti-mafia.
Gjykata Speciale ka sekuestruar një apartament banimi në Durrës me sipërfaqe 67.2 m2, tokë arë me sipërfaqe 4.5 mijë m2, tokë arë me sipërfaqe 12 mijë m2 në Tiranë, tokë arë me sipërfaqe 3 mijë m2 në Tiranë si dhe një tjetër tokë arë, me sipërfaqe 2.2 mijë m2 ndodhur në Tiranë, që të gjithë në pronësi të Adriatik Llallës.