Sali Berisha poston videon e sukseseve në 8 vite që drejtoi qeverinë! Fshin Lulzim Bashën, kthen Sokol Olldashin

Ish- Kryeministri i vendit Sali Berisha, politikani më dominues në Shqipëri për gati tre dekada, ka postuar ditën e sotme në rrjetin social `Facebook`, një video në të cilën përmbledh sukseset e 8 viteve ndërkohë që ai drejtoi qeverinë.

Nga anëtarsimi në NATO e deri tek arrestimet e bujshme, në videon 7 minutëshe elogji të suksesit, bën përshtypje se në asnjë moment nuk shfaqet figura e Lulzim Bashës, teksa disa herë përsëritet ajo e të ndjerit Sokol Olldashi dhe arritjet e tij teksa mbante vendin e Ministrit te Brendshëm.

Kujtojmë se Sali Berisha 77 vjeç, e ka qeverisur Shqipërinë për pesë vite si president dhe tetë vite si kryeministër, duke qenë udhëheqësi më jetëgjatë i vendit pas Enver Hoxhës.

Tre muaj më parë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht `non grata` për të hyrë në SHBA pasi veprat e korrupsionit të ish-Presidentit minojnë demokracinë në Shqipëri.

Ndërkaq, me 30 korrik Ambasadorja Amerikane Yuri Kim zhvilloi një takim në zyrën e Lulzim Bashës, i cili ka zgjatur 90 minuta. Në deklaratën për mediat ajo la të kuptohet se pjesë e diskutimit ka qenë edhe vendimi për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Berisha. Pa u ndalur në emra të përvetshëm, ajo tha se një parti politike s’mund të hajë bar për hir të një deputeti të saj.

Në një deklaratë më shumë se ultimative për Lulzim Bashën, ambasadorja amerikane ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e duan Sali Berishën e shpallur ‘Non Grata’ në parlament në muajin shtator dhe duket se i ka lënë kohë Kryedemokratit deri në fund të Gushtit për të vendosur.

Për të shikuar videon klikoni linkun

Sokol Olldashi dhe përçarja e Partisë Demokratike

Ishte viti 2013 kur Berisha humbi zgjedhjet dhe dha dorëheqjen nga kryesimi i Partisë Demokratike, por mbajti postin e deputetit dhe ruajti një ndikim të konsiderueshëm në Partinë Demokratike edhe pas dorëheqjes

Asokohe kandidati për kryetarin e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, akuzoi Sali Berishën dhe Lulzim Bashën për vjedhjen e votave në zgjedhjet për kreun e ri të partisë.

Menjëherë pasi rrethi i familjes Berisha trumbetoi lajmin e fitores së Lulzim Bashës, Sokol Olldashi, doli në një konferencë për shtyp dhe bëri një deklaratë bombë, ku rrëzoi zgjedhjet si të manipuluara. Deklarata e Sokol Olldashit, i cili përfaqëson klanin më të fuqishëm ekonomik dhe njerëzor në selinë blu, ka shënuar fillimin e përçarjes së Partisë Demokratike.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *