Krijohen pulla postare me portretet e akademikëve dhe intelektualëve shqiptarë

Filatelia shqiptare ka nderuar për veprën e tyre akademikët dhe intelektualët shqiptarë me emetimin në pullat e postës.

Pullat e postës me portretet dhe emrat e akademik Kristo Frashërit, akademik Shaban Demirajt, studiuesit Ramadan Sokoli, aktorit Sandër Prosi dhe shkrimtarit e përkthyesit Vexhi Buharaja janë tashmë në qarkullim me logon figurat e shquara kombëtare.

Akademik Kristo Frashëri ka punuar për vite me radhë si punonjës shkencor në shumë institute shkencore të vendit tonë, si në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë dhe Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai dha një ndihmesë të veçantë duke kontribuar me studime të shumta dhe prodhimtari të pasur shkencore që shtrihet në të gjitha periudhat historike, si antikiteti, mesjeta, rilindja kombëtare dhe koha e sotme. Akad.

Frashëri trajtoi tema shkencore jo vetëm nga historia, por edhe nga jeta politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore e vendit tonë. Ai ka marrë dy herë “Çmimin e Republikës” të klasit të parë, në vitet 1961 dhe 1984 dhe është dekoruar me urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Akademik Shaban Demiraj është gjuhëtar, profesor, akademik. Në vitet 1993–1997 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar veprat: “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”, (1972); “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”, 1986 (në një formë më të përmbledhur është botuar edhe gjermanisht nga Akademia e Shkencave e Austrisë, 1993); “Gjuha shqipe dhe historia e saj”, 1988 (botuar edhe italisht nga Universiteti i Kalabrisë, 1997); “Gjuhësi ballkanike”, Shkup, 1994 (shqip dhe maqedonisht), ribotuar në Tiranë, 2004; “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (1996); “Prejardhja e Shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe” (1999), dhe një version anglisht i saj “The Origin of the Albanians (linguistically investigated)” (2006); “Eqrem Çabej” (1990); “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” (2008). Shaban Demiraj është redaktor dhe bashkautor në veprën “Gramatikë e gjuhës shqipe, vëll. I Morfologjia” (1976, ribotuar 1995, 2002) etj.

Ka transkriptuar e përshtatur në shqipen e sotme veprën e Gavril Darës “Kënga e sprasme e Balës” (1994), etj. Ka marrë titullin “Mësues i Popullit” dhe Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë (dy herë); është dekoruar me urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”.Prof. Ramadan Sokoli është muzikant, kompozitor, shkrimtar dhe etnomuzikologu i parë shqiptar. Qysh në moshë të re, bënte pjesë në Bandën Frymore të Qytetit të Shkodrës. Rreth moshës 16 – 17-vjeçare, filloi të kompozojë.

Pasi mbaroi gjimnazin me rezultate të larta, ai fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur Konservatorin “Luigi Cherubini” në Firence për Flaut e Kompozicion. Për shkak të luftës në vitin 1944, Ramadan Sokoli i ndërpreu studimet në atë konservator. Ai ka punuar për organizimin e Ansamblit të Ushtrisë dhe të Korit të Filarmonisë. Ka qenë drejtor i muzikës në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë dhe ndërkohë është marrë me organizimin e festivaleve të këngës e valles popullore dhe ka punuar si mësues në Liceun Artistik derisa doli në pension në vitin 1980.

Prof. Ramadan Sokoli ka botuar dhjetëra vepra studimore për traditën muzuikore dhe etnografike lidhur me vallet dhe muzikën e të parëve tanë. Ai ka botuar studime për veglat muzikore, traditat e tjera folklorike dhe veprat e trashëgimisë së popullit shqiptar.Sandër Prosi është një ndër figurat më të shquara të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Ai lindi në qytetin e Shkodrës më 6 janar 1920 dhe ndërroi jetë më 24 mars 1985 në qytetin e Durrësit gjatë xhirimeve të filmit “Pranverë e hidhur”.

Ai luajti në më shumë se 30 produksione kinematografike ku krijoi role dhe figura artistike shumë të arrira.Sandër Prosi ka krijuar rreth 100 personazhe të tjera në skenën e teatrit të cilat edhe sot kujtohen me shumë dashuri dhe nostalgji. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik Sandër Prosi është nderuar me çmime dhe vlerësime të shumta si: “Artist i Popullit”, “Nderi i Kombit”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes.Vexhi Buharaja është shkrimtar, orientalist, epigrafist dhe përkthyes shqiptar nga osmanishtja e persishtja.

Ai lindi në në qytetin e Beratit më 12 maj 1920 dhe ndërroi jetë më 5 korrik 1987. Jeta e tij ka kaluar përmes një kalvari të dhimbshëm gjatë regjimit komunist. Në vitin 1965 u pranua në sektorin e historisë së mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë, ku mblodhi, përktheu në shqip e transkriptoi rreth treqind mbishkrime turko-osmano-arabe. Ai shkroi studimin “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”.

Ka përkthyer një varg materialesh të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, etj.Në vitin 1965 Buharaja u pranua në sektorin e historisë së mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë, ku mblodhi, përktheu në shqip e transkriptoi rreth treqind mbishkrime turko-osmano-arabe.

Përveç dokumenteve historike, përktheu nga gjuha turke e perse edhe vepra të tjera shkencore dhe letrare, si veprat shkencore të Hoxhë Hasan Tahsinit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat/ Ëndërrimet” dhe “Katër stinët” e Naim Frashërit, “Gjylistani dhe Bostani” të Saadi Shirazit. Vexhi Buharaja ka marrë titujt: “Mësues i Popullit: (pas vdekjes), kurse biblioteka e qytetit të Beratit është pagëzuar me emrin “Vexhi Buharaja”.

/Burimi atsh/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *