Fakulteti Ekonomik ka publikuar listën e plotë paraprake të renditjes së kandidatëve për të ndjekur studimet në të gjitha degët e këtij Fakulteti në Universitetin e Tiranës.
Në faqen zyrtare të Fakultetit, sqarohen të gjithë maturantët se deri tek vija e kuqe në listë janë fituesit e fazës së parë të raundit të parë, sipas çdo dege.
Ndërkohë në datën 2 Shtator fillojnë regjistrimet e kandidatëve fitues, pranë Fakultetit të Ekonomisë, sipas njoftimeve që do të publikohen në vijim.
“Nëse ndonjë prej jush ka ankimim për rezultatin e shpallur, kërkesa mund të dorëzohet pranë Sekretarisë Mësimore, FEUT, në datën 01 Shtator. Përgjigjia do të merret brenda 24 orëve”, thuhet në njoftimin e Fakultetit të Ekonomisë.
Për aplikantët që janë poshtë vijës së kuqe, Fakulteti sqaron se edhe ata do të kenë mundësi të regjistrohen, pasi mbeten ende 311 kuota të lira.
“Të dashur aplikantë që ndodheni poshtë vijës së kuqe, edhe sikur të gjithë kandidatët fitues në listat paraprake të shpallura, të regjistrohen në FE, mbeten ende 311 kuota të lira, për shkak se i njëjti kandidat është shpallur fitues njëkohësisht në disa degë sipas sistemit të aplikimit. Përveç kësaj, shumë kandidatë janë shpallur fitues edhe në Fakultete të tjera”.
/Priza.al/