Një miqësi e krijuar në qelinë e burgut, ku Bullari vuante një dënim prej 3 vite e 4 muaj për akuzën e “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” ndwrsa Bledar Selmanaj ndodhej për një dënim për vjedhje të përsëritur, vijoi edhe jashtë saj me aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës,.
Blerja e një sasie droge prej 100 kg hashash, deri në këto momente dyshohet të jetë bërë shkak i vrasjes me 3 plumba të 25-vjeçarit nga Peqini, Xhuljano Bullarit.
I arrestuari për krimin, Bledar Selmanaj ka dëshmuar në polici se gjithçka nisi për 3 mijë euro drogë, që i riu, tashmë i pajetë, e pagoi me lekë false. Shitja u bë në Elbasan por Xhuljano pagoi me para false. Ky ka qenë dhe momenti i krisjes mes miqësisë të zënë në qeli.
Autori i krimit, Bledar Selmanaj, ka dhënë një dëshmi kontradiktore në polici, shpesh herë thotë se nuk e ka vrarë ai Xhuljanon 25-vjeçar, por Selmanaj ka këmbëngulur për 3 mijë Euro që duhej tu dërgoheshin shitësve të hashashit, ndryshe jeta e tyre ishte në rrezik për shkak të pagesës me para false.
“Unë e kam transportuar në mesnatë deri në Babicë dhe aty e kam lënë vetëm. Jam kthyer në shtëpinë time në Vlorë dhe kam fjetur aty”, ka thënë Bledar Selmanaj.
Të shtunën e 21 gushtit të dy shokët u takuan pranë Policisë së Tiranës. Me “Fiat Punto”, siç policia ka zbuluar përmes kamerave të sigurisë, ata udhëtuan së bashku drejt Vlorës, dhe në mbrëmje hynë në Transballkanike. Një orë më vonë, në 20:54 në kamerat e sigurisë, makina shfaqet duke kaluar pranë një pike karburanti në Qafë Babicë. Aty ku banorët e njohin si “Lapidari’, u krye dhe vrasja. Bledar Selmanaj e qëllon shokun e tij 14 vjet më të ri, me dy plumba nga pistoletë e llojit Tangofolio Giuseppe SRL Gardone Italy e cila u gjet e groposur në oborrin e banesës së tij në lagjen “15 Tetori” në Vlorë.
Hetuesit janë në punë e sipër për grumbullimin e provave ndaj të akuzuarit, që nga dëshmia e tij jo shumë e qartë, deri tek ekspertiza nëse arma e gjetur është ajo me të cilën u krye krimi apo jo. Paraditen e së premtes Bledar Selmanaj do të dalë para gjykatës për t’u njohur me akuzën e vrasjes me paramendim të Xhuljan Bullarit.
/Priza.al/