I pari politikan shqiptar që ka reaguar pas postimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç të hartës së Kosovës me flamurin e Serbisë, është kryedemokrati Lulzim Basha. Ai shkruan se deklarata të tilla nuk është shërbejnë paqes në rajon, duke vënë theksin se Kosova e pavarur tashmë është një realitet i patjetërsueshëm.
“Deklaratat dhe veprimet e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk i shërbejnë bashkëpunimit, paqes dhe stabilitetit në rajon, ato nxisin konflikt dhe përçarje. Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm. Shfaqje të tilla nacionaliste dëmtojnë vetëm Serbinë dhe tregojnë qasjen destruktive të lidershipit të saj. Sa më shpejt të pranohet realiteti i Kosovës së lirë dhe të pavarur, aq më mirë do të jetë për Serbinë, popullin e saj dhe gjithë Ballkanin për të ecur më shpejt drejt BE-së si interesi më i mire i popujve tanë”, tha Basha.
Ky reagim vjen pas postimit të presidentit serb të hartës së Kosovës me flamurin e Serbisë. Ai ka kujtuar në këtë mënyrë 17 marsin duke thënë se ‘Serbia nuk është e dobët”.17 marsi i vitit 2004 përkujton sipas serbëve ditën e dëbimit të tyre nga Kosova.
“Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 Marsi të ndodhë përsëri. Ne kujtuam dhe ngulitëm çdo mësim në të cilin ishim humbës, por nuk do të heshtim ndaj viktimave tona. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur dhe ne e quajmë atë me emrin e saj të vërtetë – masakër,”-shkruante Vuçiç.