Ditën e sotme është përmbyllur operacioni i skuadrës holandeze në betejën kundër zjarreve në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka publikuar foto nga ceremonia e falënderimit dhe përcjelljes së trupave dhe mjeteve që asistuan në këtë operacion.
Ambasadori i BE Luigi Soreca përmes një postimi shkruan se ata kontribuan në shpëtimin e jetëve nga flakët por edhe në mbrojtjen e mjedisit. Duke cekur dhe ndihmën e vendit tonë e cila ka pritur afganët e parë mesnatën e sotme, Soreca nënvizon se për Shqipërinë dhe BE solidariteti nuk është një fjalë boshe. Gushti thotë Soreca, ka qenë muaji i solidarizimit të BE dhe Çekisë e Holandës ndaj Shqipërisë si dhe i Shqipërisë ndaj afganëve.
“Shumë falënderime për burrat dhe gratë e helikopterëve holandez dhe çek . Grupi i BE ndihmoi për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur mjedisin. Gushti ka qenë muaji i solidaritetit i BE dhe Çekisë e Holandës ndaj Shqipërisë, por edhe i Shqipërisë ndaj refugjatëve afganë në nevojë. Për Shqipërinë dhe BE solidariteti nuk është fjalë boshe, por e vërtetë”, thotë Soreca.
Soreca ishte i pranishëm edhe në aktivitetin e organizuar në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, i cili falenderoi ekipet holandeze dhe çeke për ndihmën, për kontributin mjaft pozitiv që kanë dhënë për të mbrojtur mjedisin e shpëtuar jetë. Po ashtu ai falenderoi sërish shtetin shqiptar për solidaritetin që tregoi me pritjen e 120 trupave të parë afganë që mbërriten në Shqipëri.
“Kjo është ajo që ne quajmë skuadra e Evropës dhe është ajo që bën të gjitha përpjekjet për të ndihmuar të gjithë partnerët e ngushtë. Me sa kuptuam edhe nga ministri i Mbrojtjes ndihma e dhënë nga këto ekipe ka qenë thelbësore, në këtë verë të vështirë me zjarre në pyje. BE dhe shtetet evropiane edhe njëherë kanë dëshmuar solidaritetin e tyre me Shqipërinë. Tani jemi në Aeroportin e Rinasit, ku pak orë më parë kanë zbritur 121 refugjatët e parë afganë, do të doja gjithashtu të përshëndesja Shqipërinë për solidaritetin e treguar”, tha Soreca
I pranishëm në këtë aktivitet Ambasadori holandez në Shqipëri, Reinout Vos, falenderoi Bashkimin Evropian për vendimin e shpejtë që mori për të ndërhyrë si dhe trupat shqiptare për punën e tyre në luftën me zjarret dhe bashkëpunimin shumë të mirë. Mbështetja e Mbretërisë së Holandës dhe Republikës Çeke nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE ka rezultuar efikase në përballimin e situatës së zjarreve të krijuar në vendin tonë gjatë muajit gusht.
Helikopterët holandezë dhe ai çek, që prej datës 6 gusht iu bashkuan përpjekjeve të Forcave të Armatosura dhe autoriteteve të tjera lokale kanë vënë nën kontroll vatrat më të mëdha të zjarreve si në Vlorë dhe Kukës ku kanë qenë më problematike. Në ndihmë për shuarjen e zjarreve u ka ardhur edhe shiu i rënë në ditët e fundit në disa zona në vend.
/Priza.al/