Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka pritur sot atleten Luiza Gega, pas përfaqësimit në Lojërat Olimpike. Kushi shprehet se Luiza është ndër emrat më të spikatur që vijon të shkëlqejë duke arritur rezultate të larta në gara ndërkombëtare.
“Pas përfaqësimit dinjitoz në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” prita me shumë kënaqësi në MASR, atleten Luiza Gega, një nga diamantet e sportit tonë elitar.
Luiza është një ndër emrat që ka spikatur dhe vijon të shkëlqejë. Ajo ka arritur rezultate të larta dhe ka ngritur flamurin shqiptar në gara ndërkombëtare, duke bërë që qindra vajza të motivohen dhe të ndjekin rrugën e saj të suksesit.
Gjatë takimit diskutuam për sfidat e sportit shqiptar dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së sportistëve elitar.
Ndërkohë, dëshiroj ta falënderoj Luizën veçanërisht për mesazhet sensibilizuese që ka dhënë, si për “një sport të pastër”, ashtu dhe për “luftën kundër dhunës ndaj fëmijëve”. Suksese të mëtejshme Luiza!”, shkruan Kushi.
/Priza.al/