Afganistan/ SHBA vret me dron planifikuesin e sulmeve ISIS! Shumica e vendeve të NATO-s u japin fund evakuuimeve

Ushtria amerikane thotë se me dron ka arritur të vrasi një planifikues për degën afgane të grupit Shteti Islamik në lindje të vendit. Anëtari i dyshuar ishte shënjestruar në provincën Nangarhar.

Kapiteni i Komandës Qendrore, Bill Urban tha: ‘Sulmi ajror pa pilot ndodhi në provincën Nangarhar të Afganistanit. Indikacionet fillestare janë se ne kemi vrarë objektivin. Ne nuk dimë për viktima civile.” Ai e përshkroi atë si një “operacion kundër terrorizmit jashtë horizontit”.

Një dron ‘Reaper’, goditi militantin ndërsa ai ishte në një makinë me një anëtar tjetër të ISIS, duke i vrarë të dy, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.

ISIS-K ka marrë përgjegjësinë për të dyja sulmet që kanë lënë 170 viktima në aeroportin e Kabulit, ku mes tyre 13 trupa amerikane dhe mbi 150 të plagosur. Presidenti Biden premtoi që do t’i gjente xhihadistët pas sulmit që bënë.

ISIS-K ose Provinca Khorasan e Shtetit Islamik është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan.

Situata në aeroportin e Kabulit ndërkohë vijon të jetë tepër shqetësuese dhe talebanët kanë ngritur pika kontrolli në çdo rrugë që të lidh me të për të mos lejuar kalimin e afganëve. Më shumë se 100,000 njerëz besohet se janë evakuuar. Ndërkohë që afati i 31 gushtit për të mbyllur procesin e evakuimit po i vjen fundi me mijëra afganë ndodhen në aeroport dhe rreth tij me shpresën për t’u larguar nga duart e talebanëve.

Rreth 5,000 trupa amerikanë janë akoma të vendosur në aeroportin e Kabulit për t’i siguruar çdo të huaji që të largohet nga Afganistani në orët e ardhshme. Zyrtarët amerikanë kanë lëshuar një paralajmërim të ri për qytetarët që të qëndrojnë larg portave të aeroportit në rast të sulmeve të mëtejshme.

Shumica e vendeve të NATO-s i kanë dhënë fund fluturimeve emergjente. Franca  i dha fund përpjekjes për evakuim të Premten, duke fajësuar përkeqësimin e sigurisë në aeroport.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *