Ai është argjendari i yjeve botërorë si Kanye West dhe Bella Hadid. Richie Rich është personi të cilit i drejtohen anëtarët e familjes mbretërore kur duan të blejnë bizhuteri me diamante. Ai është djali i argjendarit Leon Nektalov, i njohur për punimet e tij klasike.
Por, 29-vjeçari ka ndërruar stilin klasik të familjes së tij, duke sjellë bizhuteri trendi që i përshtaten reperave dhe modeleve. Rich e publikon punën në llogarinë e tij të ‘Instagram-it’, ku ndiqet nga një milion ndjekës. Aty ai publikon dhe jetën e luksit mes avionave privatë dhe makinave luksoze.
Ai është fotografuar dhe me klientët e tij të famshëm si supermodelet Bella Hadid, Hailey Baldwin dhe Cara Delevigne për të cilat punoi dhëmbë prej diamanti. Së fundmi ai bëri unazën 21 karatëshe me vlerë 2 milionë dollarë, me të cilën miliarderi Umar Kamani i propozoi të dashurës së tij modele, Nada Adelle.
Familja e Rich emigroi në New York në vitin 1975 nga Uzbekistani dhe sapo mbërritën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ata filluan biznesin e tyre. Ata e nisën me një dyqan të vogël dhe vazhduan më tej me punimin e diamanteve.
Rich thotë se suksesi i tij ka ardhur nga këmbëngulja e vazhdueshme. Teksa shprehet se nuk mund të zbulojë bizhuteritë e tij më të shtrenjta për shkak se duhet të ruajë privatësinë e klientëve, Rich thotë se një gjerdan që bëri për princin e Arabisë Saudite kapi vlerën e 6 milion dollarëve.
Burimi:DailyMail/Përshtati:Priza.al