Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja makabre e 18-vjeçares në Ferizaj, Marigona Osmani.
Arbër Sejdiu, i cili ndodhet në burg së bashku me Dardan Krivaqën ka thënë se ajo ka bërtitur dhe para se të humbte ndjenjat, kishte vjellë.
Avokati i familjes së viktimës 18-vjeçare, Gazmend Rexhepi tha se e ka parë deklaratën e Arbër Sejdiut dhe se ky i fundit ka pohuar se vajzën e kanë çuar në spital pasi kur kanë hyrë në dhomë kanë parë se kishte shumë të vjella.
“Deklaratën e kam pa dje, ai ka thënë se vajza është rreh në mënyrë sistematike pothuajse gati çdo ditë…Deklarimi i tij është që dy ditët e fundit Marigona ka përjetuar dhunë fizike. Arbri ka qenë në dhomën tjetër ku ka nejt Marigona, dmth partneri i saj Dardan Krivaqa, dy ditët e fundit standard i ka shkaktu dhunë fizike dhe psikike. Ka pas shumë piskama, qysh e ka citu ai, nga ana e Marigonës dhe dhunë fizike. Thotë kur kemi hy në dhomë ka pas vjellje dhe në atë moment e kemi marrë e kemi çu në spital”, tha Rexhepi.
Ai tha se janë në pritje të raportit të autopsisë, ndërsa çertifikata e vdekjes i është dorëzuar familjes.
“Autopsia nuk është dorëzuar akoma, çertifikatën e vdekjes ia kanë dhënë familjes do të thotë që është konstatuar vdekja e saj. Dje kam qenë në prokurori, e kam dorëzu autorizimin, prokuroria ka thënë se akoma nuk e kanë marrë raportin e autopsisë. Vetëm konstatimi që ka dal në publik nga Ministria e Drejtësisë, që është thënë për politraumë dhe thyerje.
Prokuroria është në fazën e hetimeve na kanë thënë dhe na kanë premtu që për çdo shkresë do të njoftohet avokati dhe familja”, përfundoi ai.
Marigona Osmani dyshohet se vdiq pasi i përjetoi dy ditë keqtrajtim mizor, rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë”, ndërsa në paraburgim po qëndrojnë ish-partneri i saj Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu. Të dy emra të njohur për organet e rendit.
/Priza.al/