Nuk ka qenë vetëm Elbasani qyteti që u përfshi nga dhuna midis subjekteve elektorale. Incidentet politike janë zhvendosur edhe në qytetin e Fierit, i cili mbahet për një bastion të së majtës.
Dje në mbrëmje por edhe sot duke u gdhirë dita e diel, policia e Fierit njoftoi se në orët e para të mëngjesit janë konstatuar të dëmtuara me gur dhe sende të forta, xhamat e zyrave elektorale të dy subjekteve politike.
Sipas mediave lokale, mësohet se janë dëmtuar zyrat e Partisë Socialiste dhe të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Por më pas në rrjetet sociale ka qarkulluar edhe videoja e një të riu që ka sulmuar me gurë zyrat elektorale të PS dhe PDIU në Fier.
Në videon e publikuar nga “JOQ” të cilën autori i dyshuar duket se e ka filmuar vetë, dëgjohet i riu që shpreh iritimin e madh ndaj partive që nuk kanë bërë asgjë gjithë këto vite.
“Këtu jemi në Fier, kemi për ti q*** motrën Edi Ramës, rilindjes dhe këlyshave që e shesin votën për një thes miell. Ca janë këto këlysha që na vjedhin, ia kam bërë xhamin vrima vrima, erdhi shteti dhe nuk më kapi. Pak metra është qendra e Fierit, ku është Edi Rama. Këtë shembull duhet ta marrin të gjithë shqiptarët, të shkatërrojnë të gjithë selitë e PS, PDIU, PD. Kaq kisha mirupashfshim”,– ka thënë i riu në videon e dedikuar për portalin “JOQ”.
Informacion paraprak i Policisë Fier
Sot rreth orës 03:00, në lagjen “1 Maj” Fier, në rrugën “Jani Bakalli” dhe pranë poliklinikës, nga ana e shërbimeve të Policisë së rendit, janë konstatuar të dëmtuara me gur dy xhama të zyrave elektorale të dy subjekteve politike.
Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
/Priza.al/