Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm afër Kopshtit Botanik ku një mjet përplasi dy punonjës të ‘Forcave Shqiponja’.
Nga fotot dhe videot e siguruara nga `Priza.al` dukej se 2 efektivët qendronin të shtrirë përtokë pa lëvizur dhe kishin marrë fraktura në gjymtyrë. Fatmirëshisht mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën dhe policia ka bërë të ditur se dy efektivët e plagosur rëndë janë Edison Mehmetaj dhe Jurgin Duka.
Ndërkaq `blutë` kanë ndaluar drejtuesin e mjetit që ka shkaktuar aksidentin me pasoja të rënda.
Mësohet se dy efektivët kanë fraktura dhe hematoma në gjymtyrë, ndërsa një grup hetimor po verifikon provat në vendngjarje për të kuptuar se kush e ka pasur fajin
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 10:05, në rrugën “Shkëlqim Fusha”, janë përfshirë në përplasje mjeti me drejtues R. K., 40 vjeç me mjetin motorr të policisë me drejtues E. M dhe pasagjer J. D,(punonjës policie në shërbim).
Si pasojë janë dëmtuar të dy punonjësit e policisë, të cilët u dërguan në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
/Priza.al/