Talebanët ndalojnë gratë të luajnë sporte: Mund tu zbulohet fytyra ose trupi

Gratë afgane, përfshirë dhe skuadrën e kriketit nuk do të lejohen të luajnë më sporte gjatë qeverisë së re talebane. Gjatë një interviste për ‘SBS’, nënkryetari i komisionit kulturor të talebanëve, Ahmadullah Wasiq tha se sporti i grave nuk konsiderohej as i përshtatshëm dhe as i nevojshëm.

“Unë nuk mendoj se gratë do të lejohen të luajnë kriket sepse ato mund të zbulojnë pjesë nga fytyra ose trupi i tyre dhe Islami nuk e lejon këtë gjë”, -tha ai.

“Është epoka e medieve dhe do të ketë fotografi e video, pastaj njerëzit do t’i shikojnë ato. Islami dhe Emirati Islamik (i Afganistanit) nuk i lejojnë gratë që të luajnë kriket apo llojet e sporteve ku ato ekspozohen”, shtoi zyrtari afgan.

Departamenti amerikan i shtetit shprehu shqetësimin se kabineti i ri përfshinte vetëm talebanët, asnjë grua dhe personalitete me histori shqetësuese, por tha se administrata e re do të gjykohet nga veprimet e saj. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, tha se përbërja e qeverisë së re në Afganistan lë pak optimizëm për të besuar se talibanët kanë ndryshuar.

Të njohur për sundimin e tyre brutal dhe shtypës nga 1996 deri në 2001, talebanët kishin premtuar një qeveri më gjithëpërfshirëse këtë herë. Sidoqoftë, të gjitha pozicionet e larta iu dhanë udhëheqësve kryesorë nga lëvizja dhe rrjeti Haqqani – fraksioni më i dhunshëm i talebanëve, i njohur për sulmet shkatërruese.

Mullah Mohammad Hassan Akhund – një ministër i lartë gjatë sundimit të talebanëve në vitet 1990 – u emërua kryeministër i përkohshëm, tha zëdhënësi kryesor i grupit në një konferencë shtypi në Kabul.

/Burimi:The Guardian/Përshtati:Priza.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *