Në fillim të muajit maj të këtij viti një vdekje e mistershme u zbulua në lagjen Ali Demi në rrugën ‘Teodor Muzaka’ në Tiranë, ku 23 vjeçarja Evgjeni Baxho është gjetur e pajetë në banesën ku jetonte me qira.
Ajo çfarë e mbush me më shumë mister ngjarjen është se në trupin e saj janë gjetur dy simbole të panjohura të bëra me lapostil të kuq, nga të cilat, një nga simbolet e shkruar në kurrizin e viktimës ka tre shkronja, ndërsa në pjesën e parme të trupit të viktimës ka të vizatuar një tjetër simbol.
Tashmë rasti i Evgjeni Baxhos po hetohet nga prokuroria për akuzën e “shtyrjes në vetëvrasje”.
Ky informacion konfirmohet nga anëtarë të grupit të hetimit që bazuar në informacionet e agjentëve kanë konfirmuar që Evgjeni Baxho mbrëmjen kur ndërroi jetë u takua nga një person i seksit mashkull, por që ende nuk është identifikuar se cili është ai.
Të dhënat e prokurorisë që mbetën në pritje të përgjigjeve mbi komunikimet që 23-vjeçarja nga Delvina kishte ditët e fundit kur edhe kishte deklaruar se ishte sëmurë, tregojnë se vajza po ndiqte një rit për të cilin nuk jepen detaje të tjera, megjithatë të gjithë këtë çështje do ta sqarojë përfundimisht rezultati i mjekësisë ligjore.
Vdekja e të resë u raportua nga policia si e shkaktuar nga infeksioni i dhëmballës, teksa ndërkohë hetuesit nisën kërkimet për të zbuluar simbolet e dyshimta në trupin e saj dhe disa simbole të tjera te shpërndara në dhomën ku jetonte e reja.
Me rëndësi për hetimin janë edhe bisedat me personin i cili e udhëzon se kë të takojë dhe kur ta takojë. Të gjitha bisedat e sekuestruara janë 36 fletë formati A4 thanë burimet e Top Channel, ndërsa vajza rrëfehet me këtë person, numri i të cilit është blerë në tregun e zi duke treguar gjithçka për jetën dhe familjen.
Ky shtetas që është përshkruar nga fqinjët si personi që hyri në shtëpinë private në një moment, i shkruan Evgjeni Baxhos se do të ndjente që energjitë do t’i binin, por ky nuk ishte fundi, ndërsa e këshillon se nuk duhet të takonte askënd dhe të mos fliste me askënd.
Detaje të tjera nga dosja
Grupi i hetimit tregon për ngjarjen në fjalë se gjeti pranë vajzës një recete, një raport të marrë nga instituti shëndetësor të firmosur në datën 12 maj, një fletë e bardhë e shkruar me shkrim dore me stilolaps blu, që fillon me fjalët: “Vet nga fjala virtualizëm ‘ dhe përfundon me shkronja shtypi “DISK DEFRAGMENT’ .
Burimet e gazetares Anila Hoxha thonë se letra ka 16 rreshta ku pas numrit 4 shkruhet “borë metal”. Ndërkohë për ngjarjen në fjalë është marrë në pyetje një 26 vjeçar me inicialet S.S.
Në dëshminë e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, 26 vjeçari shoku i saj ka thënë:
S.S: E kam njohur Evgjeni Baxho, pasi punonte tek Vodafone dhe e kam njohur pasi i çoja kafen tek dyqani. Më pas ka pasur raste kur ishte kohë me shi dhe ajo më thoshte që kur ta mbaronte punën ta çoja deri afër shtëpisë dhe unë e kam çuar me makinë deri afër shtëpisë. Ndonjëherë kam dalë për kafe por marrëdhëniet me të ishte vetëm shoqërore. Në lidhje me Evgjeninë di që jetonte me një shoqe të quajtur Anxhela dhe më pas jetonte vetëm. Nuk dija të kishte të dashur.
Ditën e dielë duke qenë se ajo kishte 10 ditë që nuk kishte ardhur në punë i shkrova në instagram dhe e pyeta nëse do dilte për kafe.
Pranoi dhe dolëm për kafe në Farkë. E kam pyetur për shëndetin dhe më tha që i dhimbnin pak bajamet dhe kam vënë re që ishte pak e enjtur tek buza.
Nuk kemi qëndruar shumë pasi bënte freskët dhe ndërkohë e mori edhe tezja në telefon, të cilës ja mbylli telefonin dhe Evgjenia tha ‘hajde çohemi se do vete pak tek tezja’.
Jemi çuar dhe më pas nuk kam kontaktuar më me të. Ajo më tha se ditën e nesërme do shkonte në një klinikë private për të bërë analizat dhe për të bërë vizitën dhe me siguri do shkonte dhe në punë”.
Policia: A të ka thënë që do shkonte doktori ta vizitonte në shtëpi?
S.S: Jo nuk ma ka thënë diçka të tillë
Policia: A keni vënë re nëse Evgjenia shoqërohej me ndonjë person në moshë të madhe?
S.S – Jo nuk e kam parë ndonjëherë me ndonjë person në moshë të madhe.
Policia: A keni vënë re ndonjë vizatim të bërë nga Evgjenia në trupin e saj ?
S.S: Jo nuk kam parë ndonjë vizatim dhe as nuk e kam vënë re.
Policia: A keni dijeni nëse Evgjenia frekuentonte ndonjë lloj besimi?
S.S: Nuk kam informacion për këtë . Ne kur dilnim për kafe bënim muhabet në lidhje me punën ose familjen dhe nuk kemi bërë ndonjëherë muhabet për tema të tjera.
/Burimi: TCH/