Në vitin 2017, një objekt i çuditshëm u shfaq në hapësirë. Me gjatësi afërsisht gjysmë milje dhe me një ritëm të çrregullt, objekti në fjalë u emërtua Oumuamua. Nëse për shumicën e astronomëve, ai ishte një fenomen i zakonshëm natyror, kreu i departamentit të Astronomisë të Harvardit beson se objekti gjigant ishte me origjinë të huaj.
Në librin e tij, “Jashtëtokësor: Shenja e parë e jetës inteligjente përtej Tokës”, dr. Avi Loeb parashtron në 240 faqe pikërisht pse ai beson se objekti i vitit 2017 ishte një përpjekje ndërgalaktike për të kontaktuar Tokën.
“Aspekti më emocionues i mundësisë që” Oumuamua është i çuditshëm dhe ndryshe nga çdo asteroid ose kometë që kishim parë më parë është se mund të jetë produkt i një teknologjie aliene”, thotë Loeb për Motherboard. “Nëse është kështu, atëherë ne mund të mos jemi “fëmija më i zgjuar i lagjes”. Ne duhet të kërkojmë objekte shtesë ndëryjore për ta zbuluar.”
Në vitin 2019, studiuesit në Universitetin e Maryland publikuan një punim në “Nature Astronomy”, i cili konkludoi se objekti gjigant ishte i çuditshëm, për shkak të ngjyrës së saj, faktit që nuk kishte shtytje të ngjashme me kometën dhe faktit që nuk linte pas gazra siç bën një kometë. Por, ata gjithashtu thanë se nuk kishte gjasa të ishte alien:
“‘Disa veti të pazakonta të Oumuamua nuk janë aspak dëshmi e mjaftueshme për të arritur në përfundimin se duhet të jenë alienë,” tha Matthew Knight, bashkëautor i asaj gazete, për Motherboard në atë kohë, duke shtuar “Si shkencëtar, unë jam i trajnuar të mos mendoj në mënyrë absolute, kështu që nuk mund të them me 100% besim se nuk ishin alienë.” Knight hodhi hipotezën se objekti ishte “planetesimal”, që do të thotë se mund të jetë një element ndërtues i një planeti.
Loeb nga ana tjetër thotë se nuk dëshiron të dalë në përfundime dhe të mbushë boshllëqet me supozime.
“Shumica e komunitetit astronomik i injoroi anomalitë e Oumuamua. Disa astronomë të zakonshëm u përpoqën të shpjegojnë anomalitë, por mund t’i shpjegonin ato me objekte që nuk ishin parë kurrë më parë, si një ajsberg me hidrogjen, që nuk ka gjasa t’i mbijetojë udhëtimit të gjatë ndëryjor.”
Çfarë ishte ai objekt mbetet ende e panjohur, por profesori është i sigurt se vinte nga një qytetërim i largët i huaj. NASA mund të konfirmojë se ka ardhur nga një sistem tjetër diellor, i përshpejtuar në një mënyrë të ndryshme nga kometat përmes hapësirës, dhe se “astronomët nuk kishin parë kurrë një objekt natyror me përmasa kaq ekstreme në sistemin diellor më parë”.
“Është shumë e vështirë të shpjegosh vetitë e çuditshme të” Oumuamua” me procese natyrore konvencionale, kështu që studimi i objekteve të llojit të tij në të ardhmen ose do të na edukojë për një burim të pazakontë natyror ose për një qytetërim tjetër,” tha Loeb. “Le të mbledhim prova dhe të mos mbështetemi në paragjykime.”