Deklarata/ Kryeministri ‘i butë’ me gazetarët që e pyesin për Berishën, por mesazhi i Ramës i drejtohet Bashës: Dora vijon të jetë e shtrirë…  

Me lojëra fjalësh duket se i është përgjigjur kryeministri Edi Rama interesit të gazetarëve lidhur me vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për të përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së, Sali Berishën.

“PS sot është në një moment tjetër të rrugëtimit të saj duhet të ndjejë në gjithë qelizat e saj sa shumë punë e energji përfshin kjo”,- u shpreh Rama ndërsa theksoi edhe një herë “dorën e shtrirë” për opozitën në këtë mandat qeverisës.

“Ne vijmë në këtë Kuvend për mandatin tonë të tretë me dorën e shtrirë, pa marrë parasysh si do shkonin zhvillimet brenda PD, dhe dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të njerëzve e të vendit”,- tha Rama, ndërsa iu përgjigj akuzave për pazare politike.

Kryeministri Edi Rama, u shfaq krejt ndryshe para mediave, duke folur butë dhe duke premtuar se nuk do i sulmojë.

“U uroj punë të mbarë dhe të frytshme si shërbëtorë të publikut, unë do të angazhohem personalisht që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit, për problemet e tyre reale, dhe sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht në shumë e shumë vite, duke u bërë një pronë e politikanëve që e kanë abuzuar vijimësisht për qëllime interesa dhe ambicie që mund të jenë dhe të natyrshme.

PS e ka marrë një mandat të tretë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, PS sot është në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm të rrugëtimit të saj, duhet të ndjejë në çdo qelizë që të çojë Shqipërinë në nivel tjetër, dhe sa pak e rëndësishme janë këto të tjerat”,- tha Rama.

Rama ka zgjedhur që të anashkalojë dhe të mos japë përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha, për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.

“Ne vijmë në këtë Kuvend për mandatin e tretë me dorën e shtrirë, pa marrë parasysh sesi do të shkonin zhvillimet në PD, dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të shtetit.

PS e ka të vështirë që të shikojë nga lart poshtë, ne jemi lart dhe do të shikojmë përpara dhe kush do që të bashkohet me ne është i mirëpritur”,- ka thënë ai.

Edi Rama 2

Pjesë nga biseda:

Edi Rama: Ne vijmë në këtë Kuvend me diçka që unë e kam thënë përherë pa marrë parasysh se si do të shkonin zhvillimet brenda partisë Demokratike. dora është e shtrirë për të bashkëpunuar për të mirën e popullit.

A ka pazar mes jush? Berisha thotë që ka pazar?

Edi Rama: Unë jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve dhe duke qenë mjaft korrekt në raport me ju. Jam shumë i vetëdijshëm që pa dashur, mund të jem tejkaluar kufirin që nuk e bën asnjëherë një peshëngritës i peshës së rëndë me një të peshës së lehtë. Në rast se kjo nuk do të ndodhë në ndonjë moment, ta dini se do të jetë vetëm gabimi im.

Vendimin e Bashës për të njoftuar gjysmë ore para Berishën e konsideroni moral?

Edi Rama: PS-ja e ka të pamundur të shikojë nga lart poshtë, siç po ndodh midis nesh në këto momente, dhe nuk e kthejmë dot kokën pas. Kush do të bashkohet me ne, është i mirëpritur.

U trishtuat?

Edi Rama: Trishtimet dhe gëzimet janë shumë të brendshme për t’i shpërdoruar për diçka që i përket një tjetër kampi politik.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *