Dozat përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit nuk janë të nevojshme për të gjithë, tha shkencëtarja britanike, Dame Sarah Gilbert, e cila ka marrë pjesë në krijimin e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit.
Duke folur për gazetën Daily Telegraph, ajo tha se disa grupe të cenueshme do të kenë nevojë për doza përforcuese, por shtoi se “imuniteti zgjat shumë” në shumicën e rasteve.
“Ne duhet të dërgojmë vaksina në vendet, ku popullata është pak e vaksinuar”, tha Gilbert.
Disa vende në botë, përfshirë Izraelin dhe disa shtete të Bashkimit Evropian, kanë nisur me ofrimin e dozave përforcuese për personat e moshuar dhe ata me imunitet më të dobët.
Shtetet e Bashkuara pritet të fillojnë këtë muaj me dhënien e dozave përforcuese.
Ka frikë se imuniteti nga vaksinat bie me kalimin e kohës ose has në rezistencë nga variantet e reja të koronavirusit.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka thënë më 1 shtator se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë urgjente për dozën e tretë, por ajo duhet të merret parasysh për njerëzit me sistem të dobët imunitar.
/Marrë nga REL/