ARRSH jep njoftimin zyrtar: Ja rrugët që kalohen vetëm me zinxhirë, shoferët të përdorin goma dimërore

Vendi ynë është “pushtuar” nga temperaturat e ulëta, me reshje dëbore në pjesën më të madhe të vendit. Kjo ka bërë që disa fshatra të mbeten pa energji elektrike, kryesisht në Dibrës dhe në Kukës, e ndërsa ka sjellë edhe probleme në qarkullimin e makinave.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se aktualisht, si pasojë e reshjeve të dendura të dëbore që kanë rënë gjatë natës, nuk ka akse të bllokuara. Në rajonin e Jugut dhe Qendror qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht, përveç segmentet Lunik-Steblevë dhe Krujë-Sarisallitik ku rekomandohet pajisja me goma dimri ose zinxhirë. Ndërkohë, më problematike paraqitet situata në veri të vendit, ku nuk mund të kalohet pa vënë zinxhirët.

“Reshjet e borës kanë vazhduar gjatë natës. Në Rajonin Jugor ka përmirësim të situatës,  kontraktorët kanë bërë pastrimin e plotë të akseve dhe qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht

Rajoni Qendror nuk ka probleme me qarkullimin. Rekomandohet që përdoruesit e mjeteve që kalojnë në segmentet Lunik-Steblevë dhe Krujë-Sarisallitik të pajisen me goma dimri ose zinxhirë.

Në Rajonin Verior reshjet kanë vazhduar me intensitet të lartë shoqëruar dhe me erë të fortë

Qarkullohet me zinxhirë në: Peshkopi-Ushtelencë, Peshkopi-Qafë Drajë, Urë Çerenecit-Klenjë, Trebisht-Doganë, Mjedë-Pukë-Fushë Arrëz, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Qafë Mali- Fierzë, Qafë Bualli-Bulqizë-Peshkopi. Vazhdon puna për pastrimin e akseve”, nthuhet njoftimi zyrtar.

ARRSH-ja bën apel për drejtuesit e mjeteve që të tregohen të kujdesshëm dhe të respektojnë sinjalistikën.

“Drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm, sidomos gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë në akset ku është e nevojshme, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën  dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, shkruan ARRSH.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *