E ëma e autorit të vrasjes së 23-vjeçares në Zhupan të Fierit thotë se djali i saj e donte ish-gruan e madje fliste vazhdimisht në telefon me të pas daljes nga burgu, për pengmarrjen e saj një vit më parë.
Sabire Metaj është shprehur se Sabrina Bengajn e kishte si vajzën e saj, pasi me djalin, Elton Metajn, ishte lidhur që 13-vjeçe.
Sabire Metaj thotë se i biri nuk kishte dhënë shenja se do të kryente një krim të tillë, ndërsa kërkon që të kapet nga policia dhe personi që i ka dhënë armën, pasi sipas saj ata nuk kanë pasur një të tillë në banesë.
E pyetur nga ‘Faxweb’ nëse do të kërkojë dënim maksimal për djalin e saj Sabire Metaj nguron që të pohojë një deklaratë të tillë, dhe thotë se drejtësinë e ka lënë në dorë të shtetit.
Deklarata e nënës së Elton Metajt:
Më ka bërë hatanë, unë nuk kam 40 ditë që varrosa babanë dhe vëllanë, nuk kuptohej fare që do ta bënte një gjë të tillë. Mbaroi dënimin dhe doli nga burgu. Ore ata duheshin, nuk e prisja që të ndodhte kjo, më vjen shumë keq se e rrita vetë edhe Sabrinën, mua më iku edhe djali bashkë me atë.
Është e njëjtë dhimbja edhe për mua, Sabrinën e kemi marrë 13 vjeçe, e ka shteti në dorë dënimin. Çfarë shenjash, nuk kemi kuptuar gjë, ata flisnin me njëri tjetrin akoma, nuk di që të kenë pasur konflikte. Ishin takuar pasi djali doli nga burgu, se i nxori vajzën që ta takonte.
Për çfarë e dua më jetën unë? Më vjen shumë keq, vrasjen e morëm vesh nga policia, na erdhën në shtëpi dhe na thanë. Pas ngjarjes djali telefonoi vetë policinë, mori edhe të atin dhe i tha se donte që të vetëvritej. Këtu në këtë derë nuk ka gjetur armë, ta gjejnë se kush ia ka dhënë armën. Armët sheshit janë se ku e ka blerë nuk e di, të shkojë në burg dhe personi që ia ka dhënë. Ai e donte me kokë të shoqen, flisnin dhe në telefon.
23-vjeçarja Sabrina Bengaj është e reja që u vra mbrëmjen e djeshme në pragun e shtëpisë ku ishte lindur e rritur, teksa po konsumonte darkën, e lodhur nga një ditë e gjatë pune. Personi që e qëlloi ishte ish-bashkëshorti i saj Elton Metaj, me të cilin kishte dhe një vajzë të mitur, të cilin e arrestoi disa orë më pas policia e Fierit.
/Priza.al/