Një numër i madh qytetarësh janë organizuar në një protestë paraditen e sotme pranë sheshit Nënë Tereza, ku po shprehen kundër vaksinimit të detyrueshëm. Organizuesi i kësaj proteste ishte Alfred Çako, i cili iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mos vaksinoheshin.
“Atyre kafshëve në pyll kush ua jep lejen? Mos lëvizin me leje ata? Mos ushqehen me leje e mos marrin leje te ndonjë kryetar i tyre se çfarë do të bëjnë me trupin e tyre? Po ne njerëzit që jemi qenia më e lartë që na ka caktuar Zoti të kontrollojmë këtë planet, si u dashkemi trajtuar në një mënyrë të tillë nga qeveria?
Prandaj, mos harroni, çdo të shtunë ne do na keni si mbështetje të gjithë ju studentët, gjithë administrata mos të trembet, të gjithë të dalin këtu me ne sepse nesër do t’i detyrojnë. Është e pafalshme, është e pariparueshme, nesër nuk do të kenë kohë kur të lëshohet rrjeti 5G shumë i rrezikshëm që do t’i rrëzojë në tokë. Ne që nuk vaksinohemi do të jemi më të shpëtuarit. Mos harroni dhe porositë që janë dhënë në Bibël, ata që nuk do të pranojnë numrin e bishës do të kenë një vend pranë meje”, tha Alfred Çako gjatë fjalës së tij.
Kjo është dita e dytë e protestës kundër vaksinimit me detyrim e planifikuar të mbahet çdo të shtunë.
I pranishëm në këtë protestë ishte dhe Altin Goxhaj, i cili në fjalën e tij ai ka deklaruar se askush nuk ka të drejtë të fusë në trupin tonë diçka që ne nuk e duam.
“Ata pretendojnë se as ata vetë nuk e dinë se çfarë pasojash ka. Unë di që ne nuk e dimë. A ka kush të drejtë të fusë në trupin tonë diçka që ne nuk e duam? Jo, poshtë diktatura. Nxjerrin ligjin fillimisht për studentët, pastaj për shkollat e mesme, pastaj për ato 9-vjeçare dhe pastaj për foshnjat e gjirit. Jo, ne javës tjetër duhet të jemi 4 herë më shumë këtu për të protestuar“, tha Goxhaj.
/Priza.al/