Si sot 23 vite më parë u shënua vrasja më e bujshme në historinë politike të Shqipërisë, ku u vra themeluesi i Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Ai ishte një nga personazhet më të rëndësishme të politikës shqiptare.
Në nder të tij ditën e sotme janë bërë homazhe tek memoriali i tij ku ka qenë edhe kryetari aktual i Partisë Demokratike në vend. Por ndryshe nga çdo herë, kryedemokrati u shfaq sot pa liderin e historik, Sali Berishën, kjo për shkak se ai u përjashtua nga Grupi i PD.
Basha ka qenë i shoqëruar vetëm nga 6 drejtues të PD-së, ndërkohë që ndryshe nga shumë vite të kaluara nuk ka qenë asnjë përfaqësues i familjes së ‘Heroit të Demokracisë’. Në mesazhin e tij në këtë ditë të shënuar, Basha thotë se Hajdari është model frymëzimi për tu ndjekur për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit.
“Sot, si çdo 12 shtator, përkujtojmë liderin e Lëvizjes Studentore, njeriun që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci, të paharrueshmin Azem Hajdari dhe mikun e bashkëluftëtarin e tij, Besnik Çera. Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit, për të luftuar me vendosmërinë e heroit të demokracisë dhe për të çuar deri në fund idealin e Shqipërisë si gjithë Europa. Mirënjohja dhe krenaria për Azem Hajdarin na bashkon, sidomos kur fatet e demokracisë janë të pasigurta dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kërcënohet nga regjimi i pakicës së korrupsionit dhe krimit. Si demokratë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin më të mirë për tribunin e pavdekshëm, që sot e përgjithmonë na nxit të qëndrojmë dhe të luftojmë të bashkuar deri në triumfin e lirisë dhe demokracisë. I paharruar kujtimi i tij”
/Priza.al/