Kanë kaluar dy ditë që nga ngjarja tragjike që ndodhi në hotelin ‘Rogner’, ku një 28-vjeçar humbi jetën pasi ra aksidentalisht nga ballkoni i hotelit.
Ditën e sotme, policia ka bërë me dije se është vënë nën hetim administratori dhe përgjegjësi i përmbajtjes së hotelit ku humbi jetën Ajdin Mustafi.
Policia informon se R. H,, 38 vjeç, me detyrë përgjegjës i mirëmbajtjes dhe R. S., 49 vjeç, me detyrë administrator i hotelit, akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të dokumentimit të plotë të ngjarjes së ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku aksidentalisht ra nga lartësia e hotelit ku qëndronte dhe për pasojë ndërroi jetë shtetasi A.M, 28 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, referuan materialet për shtetasin R. H,, 38 vjeç, me detyrë përgjegjës i mirëmbajtjes dhe shtetasin R. S., 49 vjeç, me detyrë administrator i hotelit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ajdin Mustafi kishte ardhur nga Zvicra në Tiranë mbrëmjen e së premtes së kaluar dhe kishte prenotuar për 5 ditë, madje kishte paguar edhe një vlerë të majme parash për qëndrimin. Paraprakisht u tha se ai humbi jetën për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së administratorëve të Hotelit. Thuhet se i riu ishte mbështetur në kangjellat e dritares së dhomës së tij kur ato për shkak të amortizimit janë shkëputur nga muri duke shkaktuar rënien nga lartësia të të riut i cili më pas u përplas mbi një automjet të parkuar poshtë hotelit.
/Priza.al/