Gratë në Afganistan do të lejohen të studiojnë vetëm në universitete, ku klasat do të jenë të ndara në bazë të gjinisë dhe veshja islamike do të jetë e detyrueshme, tha më 12 shtator një anëtar i qeverisë së re të talibanëve.
Abdul Baqi Haqqani prezantoi këto politika të reja gjatë një konference në Kabul, disa ditë pasi talibanët formuan një qeveri, të përbërë krejtësisht nga burrat.
Bota po shikon nga afër se si do të veprojnë talibanët ndryshe nga hera e parë kur e kishim pushtetin më 1996-2001. Atë kësaj periudhe, gratë dhe vajzat nuk kishin të drejtë të shkolloheshin dhe të merrnin pjesë në jetën publike.
Talibanët kanë sugjeruar se kanë ndryshuar, përfshirë edhe qasjen e tyre ndaj grave.
Haqqani, që është përgjegjës për edukimin, tha se talibanët nuk duan ta kthejnë kohën 20 vjet pas.
“Ne do të ndërtojmë mbi gjërat që tashmë ekzistojnë”, tha ai.
Megjithatë, studentet femra do të përballen me kufizime nën sundimin taliban, përfshirë edhe kodin e veshjes që do të jetë i detyrueshëm. Haqqani tha se hixhabët do të jenë të detyrueshëm.
Ndarjet gjinore do të hyjnë në fuqi tha ai.
“Ne nuk do të lejojmë që djemtë dhe vajzat të studiojnë së bashku”, tha Haqqani.
Sipas tij, nëse nuk ka mësuese gra, atëherë do të aplikohen masa të posaçme që do të sigurojnë ndarjen.
“Nëse do të jetë e nevojshme një burrë mund të mësojë gratë, por në bazë të Ligjit të sheriatit”, tha ai.
Tashmë veç janë publikuar fotografi të klasave të ndara me perde.
Gratë në Kabul dhe në vende të tjera në Afganistan kanë protestuar kundër sundimit taliban dhe duke kërkuar të drejta. Në disa raste, talibanët janë përgjigjur me forcë, duke i rrahur me kamxhikë, me shkopinj, por në disa raste ata edhe kanë shtënë në ajër dhe ua kanë drejtuar armët grave protestuese./ REL