VIDEO/ ‘Luftë çdo ditë me gjarpërinjtë në çadra’. Dëshmitë tronditëse të familjeve të harruara pas tërmetit në Poliçan  

Kanë kaluar 20 muaj nga rënia e tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit 2019, por dy familje në fshatin Mbrakull të Poliçanit jetojnë ende në çadra. Familjarët thonë se po luftojnë çdo ditë me gjarpërinjtë në çadra.

Ky është viti i dytë që dy familjet nga fshati Mbrakull në bashkinë Poliçan jetojnë në çadra, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Tërmeti i fuqishëm ua shkatërroi shtëpitë këtyre dy familjeve por edhe pse i vlerësuan nga ekspertët si të pabanueshme deri më tani familjet nuk kanë përfituar asnjë ndihmë ekonomike nga shteti, përveç dy çadrave që ju sollën dhe ku banojnë ende edhe sot.

Albana Kelmendi dhe Ane Leka shprehen se po luftojnë çdo ditë me gjarpërinjtë në çadër por askush nuk ka ardhur më në zonë për ti parë, me gjithë ankesat që ato kanë bërë vazhdimisht në bashkinë e Poliçanit.

“Ne jetojmë prej rreth dy vitesh në çadër, siç edhe e shihni shtëpitë tona janë të pabanuara pasi gjithçka është shkatërruar. Muret janë të gjitha të shkatërruara e të çara dhe çatia është e rrëzuar. Pas tërmetit erdhën specialistët, na i vlerësuan të pabanueshme dhe na sollën çadra për t’u vendosur.

Menduam se kjo do ishte e përkohshme por që nga ajo ditë askush nuk ka ardhur më.

Ne kemi marrë një shkresë nga Ministria përkatëse ku thuhet që jemi përfitues nga fondi i të prekurve nga tërmeti por deri tani nuk kemi përfituar asnjë ndihmë. Kemi shkuar në bashkinë e Poliçanit dhe na kanë thënë se nuk ka ardhur fondi për ta.

Ne kërkojmë të na ndërtojnë të paktën një dhomë e kuzhinë ku të fusim kokën sepse po flemë në çadër me frikë nga gjarpërinjtë që na hyjnë brenda”,- shprehen Kelmendi e Leka, të cilat i bëjnë apel për ndihmë edhe kryeministrit Edi Rama pasi po vjen dimri dhe nuk mund ta përballojnë dot një dimër tjetër me fëmijët në çadra.

/Burimi: Syri Tv/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *