Vdekja e Evgjeni Baxhos/ 4 muaj mjekësia ligjore nuk jep përgjigje! Deklarata e fortë e ekspertit: Është identifikuar personi që e takoi për herë të fundit por prokuroria…

Eksperti i profilizimit kriminalistik, Ervin Karamuço për vdekjen e 23-vjeçares, Evgjeni Baxho në një intervistë për ‘Shqipëria Live’ tha se një muaj pasi ka ndodhur ngjarja e rëndë, personi që Prokuroria e kërkon është identifikuar.

Sipas ekspertit është zbuluar se kush ka hyrë, kush ka dalë i fundit në shtëpi, kush ka folur i fundit me Evgjeni Baxhon, por nuk kanë provë direkte që ta arrestojnë.

Sipas tij ky rast ka hasur në krizë ligjore dhe profesionale.

Ka 4 muaj mjekësia ligjore që nuk jep dot përgjigje. Është për të ardhur shumë keq. Fakti që mbetet e hapur kjo media është meritë e medias se e dinë që ka debat të madh.

Italia ka skuadra anti sekte që para 20 vitesh. Personi që po kërkon Prokuroria ka shumë kohë që është identifikuar. Një muaj pasi ka ndodhur ngjarja është identifikuar, por nuk bëjnë dot lidhjen shkakësore që nuk parashikohet në ligjet tona. Provë direkte nuk kanë.

Kush ka hyrë dhe dalë i fundit në shtëpi, kush ka folur i fundit me këtë e dinë, por i vijnë rrotull dosjes se nuk kanë prova. Është krizë ligjore dhe profesionale.

Janë shumë grupe që operojnë në Shqipëri, janë të lidhur me të huaj ose jo. Janë grupe okulte me pasoja kriminale në rrezik të jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, tha Karamuço.

Gjithashtu për ‘Shqipëria Live’ familjarët e Evgjeni Baxhos, 23-vjeçares që ka ndërruar jetë disa muaj më parë, e që në trup iu gjetën disa simbole të padeshifrueshme, por ende nuk është zbardhur dinamika e ngjarjes.

Babai i saj tha se ende sot e kësaj dite nuk kanë asnjë informacion se si ka ndodhur ngjarja, ndërsa tha se Evgjeni ishte një vajzë që mësonte dhe ishte krenar për të.

Duhet të dimë kë takojnë këta, çfarë të rinjsh marrin në qafë. I bëj thirrje opinionit, familjarëve, gjykatësve, prokurorëve të jenë të vëmendshëm, të bëjnë punët e veta dhe të zbardhet çdo ngjarje.  Nuk kishim dyshime që Evgjeni po ndiqte sekte të tilla. Mosha ishte e madhe, kishte personalitetin e saj dhe mësonte shumë, isha krenar që më thoshin se ke një vajzë të zgjuar.  Nuk mund të jem ekspert, por e vërteta duhet të zbulohet, nuk dimë se çfarë ka ndodhur akoma nuk e dimë. Të paktën të dimë se çfarë ka ndodhur”, tha babai i të ndjerës.  

Ndërsa gjyshi i Evgjeni Baxhos, i cili e kishte rritur, pasi vajza prindërit i kishte të ndarë, tha se disa ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë vajza i kishte shkuar në shtëpi por nuk kishte ngrënë bukë. Kjo i kishte bërë përshtypje gjyshërve, por e kishin kaluar. Ai tregon edhe telefonatën e fundit me të. Vajza i kishte kërkuar një raport mjekësor dhe pasi gjyshi e kishte marrë, vajza i kishte thënë që të mos ia dërgonte sepse e kishte rregulluar punën me doktorin e lagjes ku banonte në Tiranë.

“Vajza nuk shahej. Unë e kam marrë 5 muajshe dhe e kam rritur vetë. Nuk e kuptoj se si ndodhi, asnjë përgjigje s’na kanë dhënë. Nuk dimë gjë fare se nga erdhi. Në familje dhe shoqëri ishte shumë korrekte. Kam shkuar 3-4 herë në Prokurori dhe nuk e dinë si ka ardhur.  Në darkë fola me vajzën më tha: ‘jam mirë, më erdhi e zonja e shtëpisë më solli një pjatë supë’. Në mëngjes e mora në telefon dhe s’mu përgjigj. Pastaj e kishin gjetur nga ora 8 në banjë.

Në datën 1 maj e kisha vajzën e shtëpi s’më pëlqeu në të ngrënë, por natë për natë flisja në telefon dhe dy ditë para se të ndodhte kjo më tha a ka mundësi të më nxjerrësh një raport mjekësor.  Ia nxora raportin por pastaj më tha mos ‘ma dërgo se ky doktori lagjes pranoi kërkesën time dhe më dha raport. Nuk më vendosi dorë, por më dha raportin e ik më tha se s’ke gjë’.  Këtu kur takoheshim si zakonisht, fliste, na përqafonte, qeshnim”, tha gjyshi.

Ndërsa gjyshja e të ndjerës, mes lotësh, kërkon që të dijë se nga se vdiq mbesa e saj, për të cilën thotë se pavarësisht fizikut të dobët, ka qenë shumë e shëndetshme.

“Dua ta di si vdiq. Qe e dobët fizikisht por qe e shëndetshme”, thotë gjyshja.

/TCH/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *