‘Holberton’, shkolla elitë hap kampusin në Tiranë/ Erion Veliaj: Do aftësojë profesionistët e ardhshëm të teknologjisë së informacionit

Një shkollë e re elitare në fushën e teknologjisë, e cila sot operon në 20 vende të ndryshme të botës, vjen edhe në Tiranë me një kampus të ri.

Nga janari 2022, kur Tirana do jetë “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, të gjithë të apasionuarit pas teknologjisë, mbi moshën 18 vjeç, do mund të ndjekin studimet në “Holberton School”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti kryetarin e Bordit të “Holberton School”, Grant Van Cleve, i cili dha lajmin e mirë për hapjen e një kampusi të ri, sipas modelit “Holberton” në kryeqytetin shqiptar. Studentët pajisen me aftësitë bashkëkohore që kërkohen për të konkurruar me sukses në tregjet lokale, rajonale dhe ato ndërkombëtare. Nëpërmjet rrjetit global të Shkollave Holberton dhe në bashkëpunim të ndërsjelltë mes tyre, çdo student bëhet pjesë integrale e një komuniteti mbarëbotëror zhvilluesish dhe punëdhënësish.

“Kërkesa në tregun shqiptar për inxhinierë softueri është dyfishuar gjatë vitit të fundit. Shto këtu edhe nevojën e madhe për profesionistë nga tregu Evropian. Holberton ka platformën e përkryer për të përshkallëzuar me shpejtësi trajnimin e zhvilluesve të softuerit dhe për të prodhuar talente të aftë për të hyrë në tregun e punës në nivel më të lartë se çdo trajnim afatshkurtër apo programe tradicionale universitare”, tha Grant Van Cleve, kryetari i Bordit.

“Njerëzit e motivuar, pavarësisht edukimit paraprak, mund të trajnohen në gjysmën e kohës që kërkohet për të ndjekur një program universitar, si dhe do të kenë shanse reale për t’u punësuar me një pagë dyfish nga ajo që ofron tregu tani, të dyja këto aspekte të mbështetura në modelin e Holberton. Një ndryshim i vërtetë ky, për Shqipërinë dhe më pas edhe rajonin”, shtoi ai.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky është një lajm i shkëlqyer për të rinjtë shqiptarë sepse nëse “Tumo Center” fokusohet në moshat 12-18 vjeç, në shkollën e re “Holberton” mund të regjistrohen moshat mbi 18 vjeç.

“Kjo shkollë është për profesionistët e ardhshëm, që garanton punët më të mirëpaguara sot në botë për teknologjinë e informacionit. Më vjen shumë mirë që skuadra themeluese amerikano-gjermano-shqiptare është në Tiranë dhe ka vendosur që ta hapë këtu kampusin e ri të rrjetit “Holberton School”. Mezi pres që, nga data 1 janar, kur Tirana nis rrugëtimin e saj si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, ta hapim zyrtarisht shkollën ‘Holberton Tirana’”, tha Veliaj.

Ai shtoi se në ditët në vijim, të rinjtë e interesuar për të ndjekur modelin Holberton do të kenë mundësi të njihen me mënyrën e aplikimit.

“Shumë shpejt Tirana do të jetë pjesë jo vetëm e një ekosistemi të teknologjisë së informacionit, por çdokush që merr diplomën në “Holberton School”, do të jetë pjesë e elitës së atyre që dine dhe atyre që bëjnë”, theksoi Veliaj.

Holberton School – një nismë që sjell risi në fushën e Edukimit Teknologjik, duke i pajisur studentët njëkohësisht me aftësi teknologjike dhe formim profesional bashkëkohor – do të përurojë një epokë të re në botën shqiptare të teknologjisë, duke krijuar një qendër nga ku do të fillojë zgjerimin rajonal në Evropën Juglindore.

Holberton School, me seli në Silicon Valley, është një Shkollë e Shkencave Kompjuterike dhe Zhvillim Softueri, dhe ka si mision të zgjidhë disa nga problemet kryesore në fushën e edukimit, duke krijuar teknologji që do të ndihmojnë për:

– Të mbyllur hendekun që ekziston në tregun global në raport me nevojat për profesionistë në Ekonominë Digjitale globale
– Të fuqizojë Zhvillimin Ekonomik dhe të rritë vlerën e pozitës Gjeografike
– Të përshpejtojë Mobilitetin Social, duke ofruar Edukim pa barriera shoqërore dhe të përballueshëm financiarisht.

Shkolla i pajis studentet me aftësi dhe njohuri teknologjike të nivelit më të lartë, duke ofruar teknologji të avancuara dhe të kërkuara nga tregu global si; Full-stack Web Development, Machine Learning, Augmented dhe Virtual Reality, Linux Programming, Advanced Algorithms dhe Blockchain.

Që prej vitit 2016, kur hapi dyert e saj në San Francisco, Holberton School është shtrirë në 27 qytete, 20 vende, dhe në 5 kontinente. Të diplomuarit nga Holberton kanë gjetur punë shumë të pëlqyeshme në kompani si LinkedIn, Google, Tesla, Docker, Apple, Dropbox, Facebook, Pinterest, NASA, Genentech, Nvidia, Cisco, IBM dhe shumë të tjera.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *