Në një raport të Bankës Botërore thuhet se ndryshimet klimatike mund të detyrojnë më shumë se 200 milionë njerëz të lënë shtëpitë e tyre në tre dekadat e ardhshme, e të krijojnë pika të nxehta migrimi nëse nuk ndërmerren veprime urgjente për të zvogëluar emetimin e gazit karbonik si dhe për të kapërcyer hendekun e zhvillimit në nivel global.
Në raportin e botuar të hënën trajtohet ndikimet e ndryshimeve klimatike, sikurse mungesa e ujit, ulja e produktivitetit të të korrave dhe rritja e nivelit të detit, që mund të bëjnë që miliona të emigrojnë deri në vitin 2050, një zhvillim që mund të ndodhë sipas tre skenarëve të ndryshëm.
Sipas skenarit më pesimist, atij me një nivel të lartë emetimi të gazit karbonik dhe zhvillimi të pabarabartë, raporti parashikon që 216 milionë njerëz të lëvizin brenda vendeve të tyre në gjashtë rajone.
Këto të fundit përfshijnë Amerikën Latine; Afrikën Veriore; Afrika Nënsahariane, Evropën Lindore, Azinë Qendrore dhe atë Jugore, Azinë Lindore si dhe Paqësorin.
Në skenarin më miqësor ndaj klimës, me një nivel të ulët emetimesh dhe zhvillim gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm, numri i emigrantëve mund të jetë deri në 80% më i ulët, por prapë të rezultojë në lëvizjen e 44 milionë njerëzve.
Raporti nuk trajton ndikimet afatshkurtra të ndryshimeve klimatike, të tilla si efektet e motit ekstrem.
Gjetjet “ripohojnë fuqinë e klimës për të nxitur migrimin brenda vendeve”, thotë Viviane Wei Chen Clement, eksperte e çështjeve që lidhen me ndryshimet klimatike në Bankën Botërore si dhe një nga autoret e raportit.
Ndërsa ndikimi i ndryshimeve klimatike në migracion nuk është i ri, ai shpesh është pjesë e një kombinimi faktorësh që i shtyjnë njerëzit të lëvizin. Njerëzit e prekur nga konfliktet dhe pabarazia janë gjithashtu më të prekshëm nga ndikimet e ndryshimit të klimës pasi kanë mjete të kufizuara për t’u përshtatur.
Raporti paralajmëron gjithashtu se pikat e nxehta të migrimit mund të shfaqen brenda dekadës së ardhshme e të intensifikohen deri në vitin 2050. Planifikimi është i nevojshëm si në zonat ku njerëzit do të lëvizin, ashtu edhe në ato zonat që ata do të braktisin.
Raporti rekomandon ndër të tjera arritjen e objektivit për “emetimin zero të gazit karbonik deri në mesin e shekullit për të pasur një mundësi për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celcius sikur investimet në zhvillimin e gjelbër, elastik e gjithëpërfshirës, në përputhje me Marrëveshjen e Parisit”.
Ekspertët paralajmërojnë se skenari më i keq ka shumë gjasa të ndodhë nëse nuk ndërmerren veprime kolektive për të zvogëluar emetimin e gazit karbotik dhe për të investuar në zhvillim, veçanërisht në dekadën e ardhshme.
/Marrë nga VOA/