Prestigjiozja BBC ka publikuar një shkrim ku ka hedhur dritë mbi veprat e humbura ose më pak të njohura të artistes së njohur meksikane, Frida Kahlo, vepra këto të cilat ofrojnë njohuri të reja mbi jetën dhe punën e saj.
Priza.al ju sjell disa nga pjesët më të rëndësishme të këtij artikulli për adhuruesit e artit e veçanërisht të artistes, Frida Kahlo.
Edhe pse ajo vdiq në vitin 1954, puna e saj ende është e freskët: auto-portretet e saj flasin shumë për identitetin, për nevojën te ndërtosh imazhin tënd dhe të tregosh historinë tënde. Ajo pikturonte veten duke u shikuar në pasqyrë, e drejtpërdrejtë, e ashpër, sfiduese. E gjithë kjo e bën Khalon të përshtatshme për disa rrëfime bashkëkohore, për narrativa feministe – gruaja e fortë dhe e pavarur, duke e përdorur veten si subjekti i artit të saj, dhe duke eksploruar guximshëm aspektet e ndërlikuara, të çrregullta dhe të dhimbshme të të qenit femër.
Pikturat e saj përfaqësojnë në mënyrë shumë intense me elemente dramatike të një jete dramatike: një abort, pamundësia e të qenit nënë, dhe dhimbje trupore (ajo ishte në një aksident të tmerrshëm në moshën 18 vjeꞔ, dhe vuajti fizikisht gjatë gjithë jetës së saj); një dashuri të madhe (ajo kishte marrëdhënie të stuhishme me artistin meksikan Diego Rivera, si dhe shumë dashnorë të tjerë, meshkuj dhe femra, përfshirë dhe Leon Trotskyn), si dhe xhelozi të mëdha (Rivera e mashtori vazhdimisht, përfshirë dhe me motrën e saj).
Por çfarë ndodh me punën e saj? Për disa historianë të artit, fokusi i vazhdueshëm tek personi sesa tek vepra është bërë i lodhshëm, prandaj një libër i ri dhe monumental, i titulluar ’’Frida Khalo: Pikturat e plota’’– sapo është botuar nga Taschen, duke ofruar për herë të parë një studim të madh mbi gjithë veprën e saj jetësore. Historiani i artit Luis-Martin Lozano duke punuar me Andrea Kettenmann dhe Marina Vazquez Ramos, jep shënime për secilën vepër te Khalos – 152 në total, duke përfshirë shumë vepra të humbura që ne i njohim vetëm përmes fotografisë.
Lozano thotë se galeritë fokusohen gjithmonë në të njejtat piktura të artistes dhe përsërisin vazhdimisht tregimin e njejtë, duke i lënë anash tregimet dhe pikturat më pak të njohura.
“Vetëm përsërisni tregimin e njejtë për Khalon, dhe ajo do të shitet, sepse gjithçka për Khalon shitet. Fatkeqësisht, ajo është bërë një mall. Kjo tregon pse ekspozitat dhe muzetë nuk shkojnë përtej shitjes -sepse nuk kanë nevojë’’ – thotë Lozano.
Ofrimi i një studimi gjithëpërfshirës të punës së saj do të thotë të bashkosh vepra të humbura ose pak të njohura, përfshirë ato që kanë dalë në dritë në ankandet e fundit, dhe të tjera që rrallë huazohen nga koleksionistët privatë dhe kështu kanë mbetur të errëta. Lozano shpreson të zgjerojë kuptimin tonë për Khalon. ‘’Para së gjithash – kush ishte ajo si artiste? Ҫfarë mendonte ajo për punën e saj? Ҫfarë donte të arrinte si artiste? Dhe çfarë kuptimi kanë këto piktura në vetvete?’’
Khalo vazhdoi të pikturonte piktura të mahnitshme të natyrës gjatë gjithë karrierës se saj – megjithëse këto janë më pak të njohura për publikun e gjerë sesa auto – portretet e saj, më pak të koleksionueshme dhe të studiuara.
Duke pasur parasysh se ajo bëri vetëm rreth 152 piktura, një numër i madh i tyre ka humbur. Khalo po ashtu nuk ishte shumë e suksesshme gjatë jetës së saj – ajo nuk pati shumë ekspozita, as nuk shiti shumë vepra përmes galerive dhe tregëtarëve. Në vend te kësaj, shumica e pikturave të saj u shitën ose iu dhanë artisitëve, miqve dhe familjes, yjeve të filmit dhe adhuruesve tjerë që jetonin jashtë vendit.
Ndoshta piktura e saj më emocionuese është një auto – portret i vonshëm: Frida në Flakë ( auto – portret brenda lulediellit). Një përzierje tronditëse e shumëngjyrëshe; pak para vdekjes se saj, Khalo e goditi me thikë, duke e hequr bojën, e frustruar nga pamundësia për të punuar ose ndoshta duke pranuar se fundi i saj po afrohej.
Neve na mbetet një pikturë e papërsosur, një botë larg nga sipërfaqet e bukura, të lëmuara dhe perfekte qe jemi mësuar ti shohim në portret e Frida Khalos – por sidoqoftë është një vepër jashtëzakonisht fuqishme që meriton të njihet. Ka diqka jashtëzakonisht prekëse në një artiste kaq të njohur, e cila përdor aktin e saj të fundit kreativ për të shkatërruar imazhin që i është ndërtuar deri më tani. Edhe në shkatërrimin e vetes, vepra e Khalos na flet me zë të lartë.
/Priza.al/