Numri i të punësuarve në institucionet e qeverisjes apo në ndërmarrjet shtetërore arriti në 185 mijë vetë, niveli më i lartë që nga viti 2002, në atë që duket se është thjeshtë vende pune në shkëmbim të votave.
Numri i të punësuarve në sektorin publik arriti në 185 mijë vetë në fund të qershorit, me një rritje dramatike prej 12 mijë vetësh ose 7% në krahasim me qershorin 2020, bëhet e ditur nga statistikat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave.
Një vit më parë, të punësuarit në shtet ishin 173 mijë vetë ndërsa në vitin 2013, kur kryeministri aktual mori pushtetin, ishin 164 mijë vetë ndërsa të punësuarit nuk u shtuan deri në vitin 2017.
Në fakt, statistikat e INSTAT tregojnë se rritja e numrit të të punësuarve në shtet filloi në vitin 2018 ndërsa rritja më e madhe u krye gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar, ndërsa qeveria e kryeministrit Edi Rama përgatitej për zgjedhje.
Në fund të shtatorit, sektori publik numëronte 172 mijë të punësuar ndërsa në fund të dhjetorit, 182 mijë vetë.
Qeveria nuk ka dhënë shpjegime se për çfarë arsye kaq shumë njerëz janë punësuar rishtaz. Aktualisht 26% ose një në katër shqiptarë të punësuar i përkasin sektorit publik, ku përfshihet qeveria qendrore, pushteti vendor dhe ndërmarrjet shtetërore, të tilla si OSHEE apo ujësjellësit.
Shqipëria ka pasur tendencën e pakësimit të të punësuarve në sektorin publik që nga rënia e komunizmit, pjesërisht për shkak se shteti ishte i mbingarkuar me punonjës pa produktivitet dhe pjesërisht për shkak se popullsia e vendit ka ardhur vazhdimisht në rënie. Herën e fundit kur Shqipëria kishte kaq shumë të punësuar në shtet ishte viti 2002.
/Burimi: BIRN/