Ngjashmëria me bosin e mafias, çon në pranga gabimisht britanikun!

Një burrë nga Liverpooli i Anglisë është arrestuar nga policia holandeze, nën dyshimin se ishte një bos famëkeq i mafias siciliane dhe mafiozi më i kërkuar në botë i arratisur.

Të Mërkurën e kaluar, rreth orës 5 pasdite, një burrë 54-vjeçar britanik, i identifikuar nga avokati i tij si Mark L, u prangos ndërsa ishte duke ngrënë në një restorant në Hagë nga policë të armatosur rëndë, të cilët i vendosën një kapuç mbi kokë dhe e tërhoqën zvarrë. Sipas raportimeve të medias, ai doli para dhjetëra klientëve të tmerruar. I lidhën sytë para se ta dërgonin në burg nën masa të rrepta të sigurisë.

Arrestimi erdhi pasi dyshohet se Italia i kërkoi autoriteteve holandeze ekzekutimin e një urdhër -arresti ndërkombëtar, duke besuar se ai ishte i arratisuri numër një i mafies, Matteo Messina Denaro, i cili fshihej që nga viti 1993.

“Kur më thanë se ishte arrestuar sepse besohej se ishte Matteo Messina Denaro, mendova se ata po bënin shaka. Dua të them, klienti im ka lindur dhe është rritur në Angli dhe ka një theks tepër të fortë të Liverpoolit. Ishte e qartë që në fillim se kishte një keqkuptim,” tha avokati tij.

Policia ishte e bindur se ai në fakt është shefi i mafias siciliane, Mateo Mesini Denaro, për të cilin autoritetet janë vënë pas tij nga viti 1993 nën akuzën se kishte kryer sulm me bombë, ku si pasojë patën humbur jetën 10 persona dhe 93 tjerë ishin lënduar. Matteo Messina Denaro, me nofkën ‘’Diabolik ’’, dikur konsiderohej kandidat për të qenë shefi i bosëve të mafias siciliane, pas vdekjes së Bernardo Provenzano, në 2016, dhe Salvatore Riina, në 2017.

Denaro, 59 vjeç, i cili dikur deklaroi në mënyrë famëkeqe: “Unë mbusha një varrezë i vetëm”, ​​me sa duket ka mbajtur stilin e tij të jetës luksoze, falë disa bankierëve të tij, të cilët, sipas prokurorëve, përfshijnë politikanë dhe biznesmenë.

Megjithatë, Mark L pas katër ditëve u lirua, kurse policia ka pranuar se bëhet fjalë për një gabim. Avokati i tij Van Cliff, ka thënë për mediat lokale se do të rrëzohej nga karrigia nëse ai vërtetë do të ishte kreu i mafias italiane.

“Sapo foli fjalët e para, menjëherë e kuptova që është britanik. Paramendoni të jeni në një mbrëmje duke shijuar darkën, dhe të nesërmen të zgjoheni në një burg në Holandë”, shtoi avokati Leon van Kleef.

Van Kleef tha se burri, një tifoz britanik i Formula 1, kishte udhëtuar për në Holandë për të marrë pjesë në Çmimin e Madh fundjavën e kaluar në Zandvoort dhe se ai kishte qëndruar në Hagë edhe disa ditë të tjera. Burri u arrestua ndërsa hante në një restorant, në qendër të Hagës, i quajtur Het Pleidooi (Plea), i cili ndodhet rreth dy kilometra larg gjykatës ndërkombëtare për drejtësi.

“Kur gruaja e klientit tim, e cila fillimisht ishte e shqetësuar, kuptoi se ishte një keqkuptim dhe se burri i saj ishte arrestuar nën akuzën se ishte Matteo Messina Denaro, ajo nuk mund të ndalonte së qeshuri,” tha Kleef.

Denaro ishte dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm në maj të vitit 2002, për shkak të rolit të tij në sulmin me bombë në vitin 1993.

/Burimi: The Guardian/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *