Ditën e nesërme pritet që në Kuvend të prezantohet programi qeverisës dhe përbërja e kabinetit të ri qeveritar, teksa sot mazhoranca ka publikuar programin për 4 vitet në vijim.
Që në fjalitë e para shpallet objekti parësor i qeverisjes i cili është ngjitja e vendit më lart në shkallën e zhvillimit. PS shpalos 5 shtyllat kryesore të programit që janë: 1. Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia; 2. Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë. 3. Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve; 4. Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen; 5. Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo Shqiptar dhe me dinjitet në botë.
“Mandati i tretë i kësaj mazhorance është historik dhe vendimtar për Shqipërinë e dekadës që sapo ka filluar dhe sidomos për hapat që do të shoqërojnë të ardhmen e fëmijëve tanë. Kjo është arsyeja pse programi qeverisës është konceptuar si një plan i kujdesshëm dhe i detajuar reformash dhe aksionesh, që synon të materializojë në çdo qelizë të qeverisjes vizionin “Shqipëria 2030”, një projekt madhor që mishëron ambicien tonë për ta çuar Shqipërinë në nivelin tjetër të zhvillimit. Pas dy mandateve sfiduese për qeverisjen socialiste, pas mandatit të parë gjatë të cilit u jetësuan reformat më të vështira por të domosdoshme për vendin dhe pas mandatit të dytë ku përballuam me sukses dy fatkeqësi të njëpasnjëshme, si tërmeti dhe pandemia, sot kemi themele të forta mbi të cilat do të ndërtojmë Shqipërinë 2030, një shtet evropian që vendos një tjetër standard të qeverisjes në shërbim të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në nisje të prezantimi të programit.
/Priza.al/