Sot dita ka qenë me një ngarkese të madhe të zhvillimeve politike ne vend, seanca maratone e Kuvendit që ka nisur paradite, gjatë pasdites është përfshirë nga debatet mes opozitës dhe maxhorancës. Debatet filluan pikërisht sepse kryeministri Rama mungonte ne sallën e Kuvendit, në kohën kur do të nisnin diskutimet mbi qeverinë “Rama 3”.
Po kur të gjithë po pyesnin përse po mungonte kreu i qeverisë në Kuvend erdhi përgjigja, Rama u shfaq në sallën e Kuvendit dhe mori fjalën pikërisht kur në të njëjtën kohë në hotel “Rogner” , Sali Berisha kishte nisur ‘Foltoren’. Kjo është nisma më e re politike e Berishës, tashmë deputet i pavarur, i cili ka nisur të mbledhë demokratët për të reformuar Partinë Demokratike.
Por, po në të njëjtën kohë, Live në televizione është shfaqur edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim e cila po jepte një intervistë për Zërin e Amerikës në shqip.
Televizionet informative në të njëjtin moment futën në ekrane të ndara Berishën, Ramën dhe ambasadoren Kim. Por, asnjë prej të treve nuk po merrej vesh se çfarë po thoshte. Megjithatë, ajo që u duk ishte sikur edhe kryeministri Rama , por edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Kim po mundoheshin qe të dy në të njëjtën kohë ti ‘zinin gojën’ deputetit të pavarur, Sali Berisha.
Të jetë kaq i “rrezikshëm” Sali Berisha? Apo kjo ishte një koinçidencë fare banale e cila në një moment i dha më shumë rëndësi seç duhej një ish-kryeministri?
/Priza.al/