Edhe mes aleatëve ka konkurrencë, madje hera-herës edhe të pandershme! Sidomos kur kjo konkurrencë ka në thelb të saj miliarda euro dhe shitje armatimesh konvencionale siç janë nëndetëset.
Kjo ka ndodhur këto kohë mes Francës- SHBA-ve- Britanisë dhe Australisë, që të gjitha shtete aleate mes tyre, por që nuk kanë nguruar që t’i prishin pazaret njëra-tjetrës.
Për pasojë Franca, ka reaguar të enjten ndaj njoftimit të Presidentit Biden për firmosjen e një marrëveshje me Australinë, lidhur me vendosjen e nëndetëseve me energji bërthamore atje, duke e quajtur këtë një vendim të njëanshëm, brutal dhe të paparashikueshëm, që i ngjante ndryshimeve të nxituara dhe të papritura të politikës, të zakonshme gjatë administratës “Trump”.
Fjalët plot zemërim nga Jean-Yves Le Drian, ministër i Jashtëm, në një intervistë për radio “Franceinfo”, pasuan një deklaratë zyrtare nga ai dhe Florence Parly, ministre e Forcave të Armatosura, duke e quajtur zgjedhjen amerikane për të përjashtuar një aleat dhe partner evropian siç është Franca, si një vendim për të “ardhur keq”, raportonte “New York Times”.
Shkalla e zemërimit francez të kujton përçarjen e rëndë në vitin 2003 midis Parisit dhe Uashingtonit, mbi luftën në Irak dhe që përfshiu një gjuhë që nuk ishte parë që atëherë.
“Kjo nuk bëhet midis aleatëve. Një thikë pas shpine. Australia nuk u konsultua me Francën në lidhje me marrëveshjen e re. Ne dëgjuam për të vetëm dje”,- tha zoti Le Drian, për vendimin australian për të prishur marrëveshjen.
Indinjata e tij lidhej me faktin se Franca kishte marrëveshjen e saj me Australinë, të arritur në vitin 2016, për t’i siguruar asaj nëndetëse konvencionale, më pak të sofistikuara teknologjikisht. Ajo marrëveshje prej 66 miliardë dollarësh, tani është shembur, por një betejë e ashpër ligjore mbi kontratën duket e pashmangshme.
/Burimi: New York Times/Përshtati: Priza.al/