Tre prej shteteve më të fuqishme ushtarakisht të botës kanë bashkuar forcat e tyre për t’i bërë presion Kinës, superfuqisë së Azisë që po merr revansh në Paqësor.
Mbretëria e Bashkuar, SHBA-të dhe Australia, kanë shpallur një pakt historik për sigurinë në Azi dhe Paqësor, i cili shihet si një përpjekje kundër Kinës në rajon. Ky pakt do t’i mundësojë Australisë, të ndërtojë nëndetëse bërthamore për herë të parë, duke përdorur teknologjinë e ofruar nga SHBA-të, raporton BBC.
Pakti, i njohur si “Aukus”, do të fokusohet gjithashtu te inteligjenca artificiale, teknologjitë kibernetike dhe kuantike.
Kjo marrëveshje është partneriteti më i madh mbrojtës midis vendeve në dekada, thonë analistët. Ambasada e Kinës në Uashington, reagoi duke akuzuar vendet për një “mentalitet të Luftës së Ftohtë dhe paragjykime ideologjike”.
Vitet e fundit, demokracitë perëndimore kanë shprehur shqetësime për rritjen e vendosmërisë ushtarake të Kinës.
Partneriteti i ri, ka për qëllim “promovimin e sigurisë dhe prosperitetit” në rajon, thanë Presidenti amerikan Joe Biden, kryeministri britanik Boris Johnson dhe homologu i tij australian, Scott Morrison, në një konferencë të përbashkët virtuale për shtyp.
Pakti do të thotë që, Australia ka hedhur poshtë një marrëveshje prej 50 miliardë dollarësh (31 miliardë euro; 27 miliardë paund) që nënshkroi me Francën në vitin 2016, për të ndërtuar 12 nëndetëse.
Reagon ashpër Kina
Nuk vonoi shumë që Pekini të reagonte me ashpërsinë më të madhe ndaj paktit të ri të vulosur prej Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë, i cili parashikon mes të tjerash që kësaj të fundit t`i shiten nëndetëse bërthamore.
“Po përshkallëzoni luftën e armatimeve në rajon, praktikisht kjo është Luftë e Ftohtë”,- deklaruan zyrtarë të lartë kinez.
“Me këtë lëvizje dëmtohet rëndë paqja dhe stabiliteti rajonal, si dhe përpjekjet ndërkombëtare për çarmatim nuklear.
Shtetet nuk duhet të krijojnë partneritete që shënjestrojnë vende të treta. Kina do ta vëzhgojë me vëmendjen më të madhe situatën”,- deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Kineze, Zhao Lijian.
Çfarë është Aukus?
Kjo është ndoshta marrëveshja më e rëndësishme e sigurisë midis tre kombeve që nga Lufta e Dytë Botërore, thonë analistët. Pakti do të përqendrohet në aftësinë ushtarake, duke e ndarë atë nga aleanca e inteligjencës Five Eyes, e cila gjithashtu përfshin Zelandën e Re dhe Kanadanë.
Ndërsa nëndetëset Australiane “copa e madhe”, Aukus do të përfshijë gjithashtu ndarjen e aftësive kibernetike, inteligjencën artificiale, atë kuantike dhe teknologji të tjera nënujore.
“Kjo është një mundësi historike për tre kombet, me aleatë dhe partnerë të të njëjtit mendim, për të mbrojtur vlerat e përbashkëta dhe për të promovuar sigurinë dhe prosperitetin në rajonin Indo-Paqësor”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Drejtuesit nuk iu referuan Kinës drejtpërdrejt, por thanë se sfidat e sigurisë rajonale ishin “rritur ndjeshëm”.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/