Denoncimi në ‘Fiks Fare’/ Bleu makinë të vjedhur, prej 10 vitesh burrit i shkojnë lekët e taksave

10 vjet hetime pa asnjë rezultat, për një automjet të vjedhur i cili “fle” në oborrin e qytetarit që i është lënë në ruajtje.

Përpos se humbi, makinën, lekët që e kishte blerë, qytetarit i ngarkohen edhe taksat e këtyre 10 viteve, për shkak se nuk mund të bëhet çregjistrimi pa u mbyllur procedimi.

Marglin Lulaj nga Vlora në 2009 blen një automjet me targa shqiptare tek një tjetër qytetar i cili e kishte përdorur dy vjet. E regjistron tek taksat dhe ndërron targat dhe pronësinë në momentin e blerjes, por askush nuk e konstaton se mjeti ishte i vjedhur. Në 2011 pas një kontrolli të policisë automjeti rezulton i vjedhur. Ja bllokojnë dhe prokuroria me një urdhër ja lë në ruajtje qytetarit mjetin në oborrin e tij. Prokuroria Vlorë ja delegon rastin Gjirokastrës pasi rezultonte se kishte hyrë nga pika e Kakavijës. Që në atë moment qytetari nuk merr asnjë njoftim për hetimin e prokurorisë, edhe pse kjo e fundit në 2012 kishte pezulluar hetimet, në pritje të informacionit nga Interpoli, Holanda dhe Italia.

Mariglen Lulaj shprehet për Fiks Fare se prokuroria e Vlorës ja la në ruajtje në oborrin e tij, çështjen ja kaloi Gjirokastrës dhe që atëhere nuk ka asnjë njoftim se si kanë ecur hetimet. Ndërkohë taksat vazhdojnë të gjenerohen çdo vit, pasi ai nuk mund të bëjë çregjistrimin e mjetit.

Ai u interesua pranë Prokurorisë Vlorë ku i thonë që çështja i ka kaluar Gjirokastrës dhe i japin edhe një numër protokolli për të kërkuar informacion atje.

Më pas ju drejtua Gjirokastrës ku tek informacioni i thanë se duhet të dorëzonte një kërkesë për këtë rast pasi në dhjetë vite, shumë prokurorë nuk ndodhen më aty,janë larguar apo kanë ndërruar jetë. Megjithatë tek informacioni e sigurojnë që një përgjigje do ta marrë patjetër.

Pas interesimit të Fiksit dhe kërkesës së qytetarit Prokuroria e Gjirokastrës vetëm në 2021 i jep qytetarit vendimin e pezullimit dhe një vërtetim për ta dërguar pranë Drejtorisë së Taksave Vlorë për çregjistrimin e mjetit, pasi në këto 10 vite ka gjeneruar taksa që janë në kurriz të qytetarit i cili vetëm e ka ruajtur, as nuk e ka vjedhur dhe as nuk e ka përdorur mjetin. Sipas prokurorisë nuk është marrë një vendim përfundimtar për proçedimin, pasi nuk ka ardhur akoma informacioni nga agjencitë e huaja.

Qytetari interesohet pranë kësaj Drejtoria e Shërbimit Rrugor Vlorë për të proceduar me çregjistrimin, por aty nuk pranojnë t’ja çregjistrojnë, pasi sipas tyre duhet të ketë një vendim përfundimtar nga Prokuroria. Ata i thonë se do ta kontaktojnë Interpolin dhe më pas do t’i kthejnë një përgjigje. Të nesërmen qytetarin e marrin në telefon dhe i thonë që nga Interpoli automjeti i tij nuk është më i bllokuar. Ai mjaft të paguaj taksat dhe gjobat, dhe mund ta çregjistrojë automjetin.

Qytetari në këtë rast, sipas vendimit të Prokurorisë Vlorë, ka bërë vetëm rolin e pikës së bllokimit, dhe ruajtjes së mjetit në oborrin e shtëpisë së tij. As Prokuroria e Vlorës dhe as ajo e Gjirokastrës nuk rezulton të kenë njoftuar Drejtorinë e Shërbimit Rrugor Vlorë për bllokimin e këtij mjeti. Duke gjeneruar kështu taksa për çdo vit. Në përgjigjen e saj, Prokuroria e Gjirokastrës pretendon se akoma nuk ka një vendim përfundimtar. Pas dhjetë vitesh, prokuroria është akoma në pritje, ndërkohë që në sistem vet Interpoli këtë makinë nuk e ka më të bllokuar./Top Channel

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *