Sikundër ishte paralajmëruar edhe më herët, Gjermania ka marrë vendimin final për të zgjatur izolimin. Kancelarja Merkel kishte dhënë sinjalet se do të rishqyrtoheshin edhe një herë masat e izolimit, ndërsa vendi sërish është në një situatë të rëndë me infektimet.
Nga autoritetet është marrë vendimi që Gjermania të zgjasë masën e izolimit të pjesshëm në të gjithë vendin, deri më 18 prill. Vendimi për të zgjatur kufizimet erdhi pasi numri i të infektuarve për 100.000 banorë u rrit në mbi 100 gjatë javës së kaluar.
Kancelarja Angela Merkel dhe udhëheqësit e landeve, pasi kanë diskutuar disa orë, kanë rënë dakord për një bllokim pesë-ditor gjatë festës së Pashkëve. Pothuajse të gjitha dyqanet do të mbyllen nga data 1 deri më 5 prill. Vetëm supermarketet do të lejohen të hapen më 3 prill.
“Tani jemi në një situatë shumë serioze”, tha Merkel në një konferencë për shtyp, duke e përshkruar variantin më vdekjeprurës dhe infektiv të koronavirusit – të identifikuar për herë të parë në Britani të Madhe – si një “pandemi e re”.