Ditën e sotme po zhvillohet kërkesa e SPAK për rihapjen e hetimeve ndaj Fatmir Mediut në Gjykatën e Posaçme të Apelit pa prezencën e asnjë pale tjetër.
Ai është akuzuar për shpërthimin e Gërdecit në mars të 2008-tës. Shqyrtimi i kërkesës së Apelit po zhvillohet në dhomën e Këshillimit. Ndërkohë një muaj më parë shkalla e parë rrëzoi SPAK, por vendimi i GJKKO u apelua nga ana e prokurorëve që kishin në dorë çështjen.
Në një vendim prej 28 faqe gjyqtari Erjon Çela rrëzoi pretendimet e SPAK që sipas tij nuk ka paraqitur asnjë provë të re dhe ka shigjetur prokurorinë ndër vite që nuk ka kryer hetime ndaj Mediut.
Përse akuzohet Mediu?
15 marsi shënon tragjedinë e Gërdecit, ku në fabrikën e demontimit të armëve humbën jetën 26 persona, rreth 300 të tjerë u plagosën, ndërkohë që dëmet materiale ishin të panumërta. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë ndërkohë që Fatmir Mediu, në atë kohë ministër i Mbrojtjes i shpëtoi gjykimit pasi kishte mandatin e deputetit. Mihal Delijorgji, president i shoqërisë Albademi, Ylli Pinari, drejtor i MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës Albademi, ishte treshja e të pandehurve kryesorë për Tragjedinë e Gërdecit.
/Priza.al/