Tregjet globale dhe ato vendase po përballen me një valë të rritjes së çmimeve, që erdhi si cunam në të gjithë artikujt njëkohësisht, që nga hekuri, gruri, nafta, kauçuku, energjia, vaji, kafeja, sheqeri e deri te buka. Vala e rritjes, e cila po nxitet nga kërkesa e pazakontë post-karantinë dhe problemet në transport i kanë zënë në befasi Bankat Qendrore, të cilat për momentin kanë deklaruar se nuk do të vënë në lëvizje mekanizmin e normës së interesit. Tregu shqiptar, i cili mbështetet tek importi, është ekspozuar tërësisht ndaj rritjes së çmimeve, teksa 40% e popullsisë në vend rrezikon të zhytet në varfëri të thellë. Banka e Shqipërisë thotë se rritja e çmimeve është kalimtare dhe do të ketë stabilitet më 2022
Vala e rritjes së çmimeve erdhi si cunam në tregjet globale këtë vit, por në vendet në zhvillim, si Shqipëria, ku mundësitë për të amortizuar efektet janë të pakta dhe konsumi është i bazuar në import, goditjet janë më të ashpra si në buxhetet e konsumatorëve dhe ato të kompanive.
Para tre muajsh, artikujt bazë të shportës, duke përjashtuar frutat si: 1 litër vaj, 1 bukë 800 gramë, 1 kg oriz, 1 kg sheqer, 100 gramë kafe, 1 shishe ujë 1,5 litra, 10 kokrra vezë, 1 kg patate, 1 kg domate, 1 kg kastravecë kushtonin gjithsej 940 lekë në tregjet e pakicës në Tiranë. Të njëjtët artikuj në ditët e para të shtatorit kushtonin 1170 lekë, ose 24% më shumë. Krahasuar me fillimin e vitit, çmimet në artikujt bazë të shportës u rritën me 30% në tregjet e pakicës.
Në gusht, Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK), apo inflacioni, i cili mat ndryshimin e çmimeve të mallrave për një grup produktesh bazë, arriti në 2.4%, niveli më i lartë ky që nga janari 2017. Që prej vitit 2012, inflacioni është luhatur afër 2%, duke arritur përkohësisht vetëm në janar 2017 në 2.8%, afër objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%.
Rritja me shpejtësi e çmimeve në një spektër të gjerë artikujsh, sidomos tek lëndët e para me ndikim zinxhir në treg (si nafta, metalet dhe gruri) i kanë zënë në befasi, konsumatorët, bizneset dhe politikëbërësit, pas një dekade ku shqetësimet e inflacionit ishin zhdukur. Pandemia Covid-19, e cila ka goditur zinxhirët e prodhimit, e kombinuar me kërkesën e lartë post-karantinë dhe ndikimet klimatike, i shtrenjtoi çmimet e mallrave kudo në botë në nivelet më të larta të dekadës.
Ndryshimi i çmimeve, i njohur si inflacioni, monitorohet dhe mbahet nën kontroll nga Bankat Qendrore, që e kanë si funksion kryesor ligjor. Ato e zbusin rritjen e çmimeve, duke rritur normat e interesit si një mjet që frenon paranë në qarkullim e për rrjedhojë, kërkesën për mallra. Në vendin tonë, Banka e Shqipërisë e monitoron inflacionin dhe ka objektiv një rritje të përgjithshme të çmimeve rreth 3% në vit, nivel i cili pritet të arrihet vitin e ardhshëm, sipas një shpjegimi të posaçëm nga Banka për “Monitor”.
Banka shpjegoi se nuk ka mjete për të frenuar një valë çmimesh që vjen nga ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, por tha se ecuria afatgjatë e inflacionit në vend përcaktohet më së shumti nga dinamika e zhvillimeve të brendshme si kërkesa, përmirësimi gradual i pozicionit ciklik. Këto trende do të shoqërohen me rritjen e punësimit, pagave dhe kostove të prodhimit, të cilat përcaktojnë dinamikat e inflacionit në afatin e mesëm. “Në të kundërt, inflacioni i importuar është një përbërës i inflacionit total mbi të cilin politika monetare nuk ka ndikim në afat të mesëm dhe luhatjet e të cilit përbëjnë përgjithësisht goditje oferte me ndikim të përkohshëm” – shpjegoi Banka.
Por teksa në aspektin makroekonomik, lëvizjet e çmimeve duken të monitorueshme, në ekonominë reale, sidomos tek 20 përqindëshi i popullsisë me të ardhura të ulëta dhe bizneset importuese, ka krijuar shqetësime. Gati 38% e shqiptarëve, sipas INSTAT, ishin të privuar nga varfëria materiale më 2019, ndaj rrezikojnë të zhyten në varfëri nga çmimet e larta që po ofrohen.
Në afat të shkurtër, qeveria përfiton nga rritja e çmimeve, duke mbledhur më shumë taksa, të cilat ndikojnë në përmirësimin e deficitit fiskal dhe uljen e borxhit. Por në afat të gjatë, çmimet e larta do të sillnin rritjen e normave të interesit, të cilat e ndikojnë negativisht borxhin publik, sidomos në Shqipëri, e cila ka treguesin 76% të PBB-së (deri në fund të 2020-s, sipas Ministrisë së Financave), një nga nivelet më të larta të vendeve në zhvillim.
20-fishohen kostot e transportit, efekte të larta mbi çmimet
Vështirësitë në transport që u krijuan nga pandemia dhe rritja e menjëhershme kërkesës për mallra shtrenjtuan kostot e transportit kudo në botë, të cilat u reflektuan edhe te çmimet e mallrave në vend.
Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, tha se për shkak të pandemisë, tregu u çorientua dhe kjo u reflektua në rritjen galopante të çmimeve të transportit, që ndikoi në të gjitha mallrat e importit. Transporti i një kontejneri me mallra nga 1,500 dollarë që kushtonte ka arritur deri në 18,000 dollarë. Ai pohoi se në disa raste, tregtarët kanë vendosur të mos furnizohen, pasi kosto e transportit nga vendet e largëta e ka tejkaluar vlerën e mallit.
Çmimi mesatar i transportit të një kontejneri është rritur gati me 20-fish që nga viti 2017 deri aktualisht. Çmimet e listuara të dërgesave nga Kina në portet kryesore në Europë dhe Bregun Perëndimor të SHBA janë më afër 18,000 dollarë për një kontejner dhe kompanitë thonë se po ngarkohen 20,000 dollarë për marrëveshjet e minutës së fundit për të marrë mallra në anije dalëse. Ndërkohë transporti i një kontejneri në vitin 2017 ishte rreth 1500 – 1800 dollarë.
Një analizë e Komisionit Europian tregon se, rritja pasqyron ndryshime dramatike në konsum gjatë pandemisë, pasi konsumatorët i kanalizuan paratë që dikur shpenzonin në restorante ose kinema për blerjen e sasive rekord të kompjuterëve, mobilieve dhe mallrave të tjera. Ky ndryshim i papritur i shpenzimeve ka përmbysur modelet e vjetra tregtare, duke shkaktuar një kërkesë ta pazakontë edhe për shërbime transporti. Gjithashtu transporti i mallrave u përqendrua me anije, për shkak të problematikës që krijoi pandemia në transportin rrugor dhe atë me avion.
Rritja e kostove të transportit ngre pyetjen se deri në çfarë mase ato transmetohen përmes zinxhirit të çmimeve. Importuesit zakonisht kalojnë një pjesë të rritjes së kostove të transportit te konsumatorët nëpërmjet çmimeve më të larta, të cilat mund të shkaktojnë presione inflacioniste. Për të vlerësuar madhësinë potenciale të këtij efekti, një model i ndërtuar për ekonominë amerikane (2016) sugjeron se çmimet e transportit përcillen për një vit në tregjet fundore të mallrave. Çdo rritje me 50% e kostove të transportit ndikon me 0.25% në rritjen e inflacionit një vit më vonë.
Në përgjithësi, duke pasur parasysh se sfidat e furnizimit drejtohen kryesisht nga transporti dhe jo nga kufizimet e prodhimit, rritja e kostove të transportit pritet të ketë vetëm një ndikim modest në aktivitetin ekonomik global – sugjerojnë analizat në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa furnizimi përshtatet me kërkesën më të lartë, kostot e mallrave mund të ulen përsëri. Në të njëjtën kohë, me heqjen e masave të izolimit dhe konsumatorët riekuilibrojnë shpenzimet drejt shërbimeve, duhet të pritet lehtësim i problemeve aktuale të furnizimit.
Rritja e çmimeve të plastikës, shtrenjton kostot e ambalazheve
Në dy-tre muajt e fundit, çmimet e plastikës në tregjet ndërkombëtare janë rritur me 230%. Kjo ka ndikuar në shtrenjtimin e kostos së prodhimit të paketimeve në tregun vendas, tha Vullnet Haka, i cili drejton Shoqatën e Ricikluesve dhe operon në këtë fushë me kompaninë “Everest”. Rritja e çmimeve të lëndëve të para ishte e pazakontë dhe shumë e shpejtë – tha zoti Haka. Ai shpjegoi se, çmimet e larta po nxiten nga mungesa e prodhimit në disa raste dhe nga kërkesa e lartë post-karantinë. Kompanitë e riciklimit, të gjendura në këtë situatë, kanë shtrenjtuar çmimet e produkteve të tyre, të cilat janë bërë shkak edhe për rritjen e çmimeve finale, sidomos në produktet e bulmetit.
Paketimi zë një pjesë të konsiderueshme të kostos së bulmetit, shpesh deri në 30%. Prodhuesit kryesorë të bulmetit në vend ia dedikuan një pjesë të rritjes së çmimeve gjatë korrikut pikërisht kostove të ambalazhimit.
Zoti Haka tha se, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare përcillet më shpejt në vende si Shqipëria, pasi importuesit nuk operojnë me kontrata të rregullta furnizimi dhe gjithashtu kanë logjistikë të kufizuar (kapacitete transporti dhe magazinimi) dhe kapacitete të dobëta financiare.
Mungesa e kontratave
Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare përcillet më shpejt në vende si Shqipëria, pasi importuesit nuk operojnë me kontrata të rregullta furnizimi dhe gjithashtu kanë logjistikë të kufizuar (kapacitete transporti dhe magazinimi) dhe kapacitete të dobëta financiare
Ndryshimet e klimës dhe pandemia i bëjnë parashikimet të mjegullta
Tregjet i rishikuan me rritje kontratat e shitjes së grurit për vitin që vjen për shkak se uragani Ida, që goditi ditët e fundit Nju Jorkun dëmtoi rëndë linjat e eksportit të një prej aktorëve kryesorë të tregtimit të grurit në botë Cargill, duke cenuar rëndë eksportet nga SHBA. Aktualisht 1 ton grurë në bursa po shitet për më shumë se 238 euro, nga 150-160 dollarë një vit më parë në këtë periudhë të vitit.
Thatësira dhe përmbytjet dëmtuan korrjet e sezonit këtë vit në hemisferën veriore, duke i bërë ndryshimet klimatike si një faktor madhor në aspektin ekonomik global. Ndryshimi i klimës dhe përhapja e papritur e pandemisë Covid-19 i kanë bërë parashikimet në tregjet ndërkombëtare të mjegullta.
Sipas të dhënave nga Bursa e Londrës (LSE), 1 ton grurë po shitet aktualisht mbi 238 euro në tregjet europiane, me një rritje 50% brenda një viti. Një fuçi naftë po shitet me 71 dollarë, me një rritje 44.8% që nga korriku i vitit 2020 dhe 1 ton hekur po shitet me 675 dollarë, me rritje 73% brenda vitit. Analistët pohojnë se rritja e çmimeve në këto tre artikuj shkakton rritje zinxhir në të gjitha mallrat dhe shërbimet kudo në botë.
Importuesit e grurit po përcjellin ngadalë rritjen në tregun e brendshëm
Çmimi i një buke (800 gr – 1 kg) u rrit javën e fundit me 10 lekë, në reflektim të rritjes së çmimit të miellit në tregjet ndërkombëtare. Shitësit në tregjet e pakicës lajmëruan rritje të çmimeve të nënprodukteve të miellit, kryesisht makaronat me rreth 10 lekë për kilogram. Në 10-ditëshin e parë të muajit gusht, çmimi i miellit me pakicë u rrit me 10%, duke arritur në 5500 lekë, nga 5000 që ishte më parë. Brenda vitit, çmimi i miellit në tregun e brendshëm është rritur me rreth 20%.
Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, administratori i fabrikës së miellit “Bloja”, tha se çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtare kanë shkuar në nivelin më të lartë të 10 viteve të fundit. Ai tha se, çmimet e larta po vijnë si rrjedhojë e prodhimit të dobët këtë vit në Rusi dhe Kanada, furnizuesit kryesorë të tregut global me grurë. Prodhimi në hemisferën veriore paraqitet me një deficit me disa miliona tonë. Haxhiymeri pohoi se importuesit dhe operatorët e tregut për një vit po mundohen të amortizojnë përcjelljen në tregjet e pakicës.
Rritja, sipas tij, është bërë graduale, duke marrë në konsideratë se çmimi i miellit është një produkt me impakt të lartë në treg, sidomos te shtresat e varfra. Haxhiymeri tha se gjatë pandemisë, rezervat e grurit ranë dukshëm për shkak të shitjeve rekord në muajt e parë të karantinës në fillim të vitit 2020, por situata u kthye në normalitet me hapjen e ekonomisë.
Meqenëse gruri është një mall i tregtueshëm, niveli i çmimeve të tij është i lidhur ngushtë me dinamikën e tregjeve ndërkombëtare dhe nga faktorë si ndryshimet klimatike, rendimentet e prodhimit, çmimet e naftës, etj. Të ardhurat e kompanive që tregtojnë miell kërcënohen si nga çmimet më të larta të grurit, ashtu edhe nga presioni publik për çmime më të ulëta të bukës.
Anëtarë të Shoqatës së Prodhuesve të Bukës pohuan se për ta është shqetësues edhe shtrenjtimi i çmimit të përbërësve të tjerë, ndërsa në tërësi sektori po vuan edhe mungesën e punonjësve për shkak të emigrimit. Kompanitë e blojës në vend shpjeguan se prej një viti, ata po blejnë grurë me çmim 60% më të lartë se vjet dhe kjo i ka detyruar të rrisin 10% çmimin nga fillimi i muajit gusht.
Operatorët paralajmërojnë se rritja e miellit do të shkojë deri në 20%, për shkak të krizës të prodhimit të grurit në botë. Rritje të lartë këtë vit parashikohet të ketë edhe për çmimin e makaronave si ato të importit dhe të prodhuara në vend, për shkak të shtrenjtimit të fortë të miellit të grurit për prodhimin e tyre.
Çmimet e naftës dhe energjisë në rritje, pritshmëritë të paqarta
Një fuçi naftë po shitet aktualisht në tregun ndërkombëtar me 70 dollarë, por pritshmëritë janë që çmimi për të njëjtën njësi të arrijë në 100 dollarë në vitin 2022. Luigj Aliaj, i cili drejton Shoqatën e Hidrokarbureve në vend tha se, ndryshimet klimatike dhe pandemia kanë krijuar paqartësi në ecurinë e çmimeve edhe në bursa.
Në një vit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare janë rritur me rreth 25%, teksa rritja u përcoll edhe në tregjet vendase, duke arritur në rreth 170 lekë/litër. Që nga fillimi i këtij viti, çmimi naftës është rritur me katër herë në tregun vendas, por gjithësi mbeten ende poshtë niveleve të parakrizës, kur e kaluan 180 lekë.
“Kastrati”, operatori më i madh i tregtimit të karburanteve me shumicë e pakicë, e tregton një litër naftë me 169 lekë për litër dhe benzinën 171 lekë/litër. Kjo ishte rritja e katërt në harkun e 7 muajve. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar në pesë muaj, me 21 lekë për litër, mbi 14%.
Shtrenjtimi i parë u shënua në shkurt 2021, me 6-8 lekë për litër, i dyti në maj, me 5 lekë për litër, dhe po me kaq edhe në fund të qershorit dhe në tre lekë, në ditët e para të korrikut.
Me fillimin e pandemisë në mars të vitit të kaluar, çmimet e naftës në vend ranë me shpejtësi, nga mbi 180 lekë në shkurt, zbritën poshtë 150 lekëve (midis 144-148 lekë) deri në janar 2021, duke reflektuar ecurinë e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.
Operatorët e tregut pohojnë se tendenca e fundit rritëse lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Në bursa, çmimi i naftës ka arritur në 70 dollarë për fuçi, nga 27 dollarë që zbriti në prill 2020, në kulmin e pandemisë, duke iu afruar nivelit më të lartë, që nga tetori i vitit 2018, si rrjedhojë e kërkesës së fortë globale dhe kufizimeve të prodhimit nga OPEC.
Çmimet e energjisë elektrike gjithashtu shënuan rritje me 180% gjatë një viti. Në javën e parë të shtatorit, 1 MWh kushtoi 123 euro, nga 43 euro që ishte në shtatorin e vitit 2021, sipas të dhënave nga Bursa e Energjisë së Hungarisë (HUPX) e cila është referencë për tregtinë nga kompanitë shqiptare. Për shumicën e prodhuesve shqiptarë që furnizohen nga tregu i lirë, rritja e çmimeve të energjisë ishte një kosto shtesë mbi prodhimin, krahas rritjes së lëndëve të tjera të para.
Shporta e ushqimeve, rritje të menjëhershme
Çmimet e vajit, sheqerit, bulmetit, vezëve u rritën me shpejtësi këtë vit. Rritjen më të lartë në harkun kohor të një viti e pati, çmimi i një litri vaj, i cili është shtrenjtuar me rreth 35%, duke shkuar në 220-230 lekë, nga 157 lekë në shkurt të vitit të kaluar dhe në 190 lekë në janar 2021. Sipas operatorëve kryesorë të tregut, shkak për këtë rritje është bërë mungesa e prodhimit të lulediellit në vendet kryesore prodhuese, si Rusia, Ukraina, Rumania, Bullgaria dhe Moldavia.
Mungesa e lëndës së parë ka rritur çmimet për importin e vajit të gatshëm dhe kostot për importet e grexhos për fabrikat që prodhojnë në Shqipëri. Vaji i lulediellit është përbërësi kryesor i shportës për familjet e varfra. Rritja e çmimit të tij do të përkeqësojë aftësinë blerëse dhe konsumin te këto shtresa.
Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve lajmërojnë se furnizimet me vaj luledielli, në gjysmën e parë të vitit 2021, do të kufizohen për shkak të rendimenteve të dobëta të lulediellit nga prodhuesit e Detit të Zi. Rajoni u prek nga kushtet e thata gjatë sezonit të rritjes, duke rezultuar në rendimente më të ulëta sesa pritshmëritë e tregut. Bashkë me vajin janë rritur edhe një seri çmimesh në produktet e shportës.
Kompanitë kryesore të prodhimit të bulmetit në vend rritën çmimet me 10-15% në muajin korrik kryesisht prej rritjes së kostove të ambalazhimit dhe të çmimeve të energjisë. Përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, Sajmir Begaj, tha se kompania ka vendosur rritjen e çmimeve të ambalazhit, lëndës së plastikës dhe çmimit të energjisë pas vendimit për daljen në treg të lirë. Rritja e çmimit të plastikës ka ardhur për shkak të shtrenjtimit të lëndës së parë në tregjet e huaja dhe nga furnizuesit, rritja u lajmërua tre muaj më parë.
Shpesh ambalazhi zë 30% të vlerës së produktit final të bulmetit. Çmimi i sheqerit gjithashtu u rrit me 30%, duke shkuar në 0,40 cent për kilogram nga 1.29 që ishte një vit më parë. Çmimi i sheqerit gjithashtu ka një efekt zinxhir negativ për shportën e mallrave, pasi shërben si lëndë e parë për një seri artikujsh të industrisë ushqimore, kryesisht pijet, biskotat dhe të ëmblat në përgjithësi.
Çmimi i hekurit rritet mbi 70%, presion mbi kostot në ndërtim
Një ton hekur kushton aktualisht në tregjet ndërkombëtarë 675 dollarë me një rritje vjetore mbi 70%. Arif Shkalla, drejtor ekonomik në kompaninë e prodhimit të hekurit i “Kurum”, ka pohuar se në muajt e parë të vitit, eksportet e hekurit u rritën me mbi 90% më shumë se viti 2020 dhe 32% më shumë se në janar-prill të 2019-s. Kërkesa, sipas tij, është në nivele rekord dhe ndërkohë, çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje të çmendur çdo javë, si rrjedhojë e blerjeve të Kinës.
Çmimi i hekurit ka arritur aktualisht në rreth në 700 euro pa TVSH, nga 460 euro në prill të një viti më parë dhe 400 euro një vit më parë. Të dhënat nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme të 6-mujorit tregojnë se, importet e gizës dhe çelikut që përfaqësohen kryesisht nga hekuri për ndërtim arritën vlerën e 22 miliardë lekëve me një rritje 51% në krahasim me vitin 2020, dhe 56% në krahasim me vitin normal 2019.
Vlera e lartë e importeve po nxitet edhe nga çmimet më të larta të hekurit në tregjet ndërkombëtare. Vitin e kaluar kanë nisur punimet në zonat e dëmtuara prej tërmetit të cilat vijojnë edhe këtë vit. Por gjithashtu kërkesa për hekur është nxitur edhe nga punët publike në disa akse rrugore, si Rruga e Arbrit dhe ajo Kardhiq – Delvinë dhe volumet e larta në ndërtimin e banesave rezidenciale në Tiranë.
Sipas të dhënave nga Porti i Durrësit, rreth 70% e anijeve që po përpunohen në port janë me materiale që kanë lidhje me sektorin e ndërtimit të tilla, si çimento, hekur, koncentrat zinku, xhama etj. Pas valës së dytë të pandemisë kudo në botë, sektori i ndërtimit po shënon rritje e për rrjedhojë, kërkesa për lëndët e para që i nevojiten sektorit është rritur.
40% e shqiptarëve në kufirin e varfërisë, nuk e përballojnë rritjen e çmimeve
Rritja e çmimeve për të gjithë artikujt, por sidomos për shportën kryesore të mallrave të konsumit rrezikon të çojë në varfëri gati 37% të popullsisë në vendin tonë. Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (AANJ) e cila mat nivelin e jetesës, varfërinë relative dhe privimin material në familjet shqiptare tregoi se në vitin 2019, mbi 37% e individëve në Shqipëri nuk e përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit. Gjithashtu treguesi i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri, në vitin 2019 është 23,0%.
Sipas INSTAT, në vitin 2019 janë vlerësuar rreth 659.000 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër. Por me fillimin e pandemisë, gjendja financiare e këtij grupi është përkeqësuar më tej, për shkak të mbylljes së vendeve të punës, sidomos në shkallën e ulët të produktivitetit. Analizat kudo në botë kanë treguar se shtresat e varfra patën kosto më të larta nga pandemia. Rritja e çmimeve do të përkeqësojë situatën financiare më tej në këtë shtresë.