Pas votëbesimit dhe betimit dje të qeverisë “Rama 3” para Presidentit të Republikës, si dhe pas një proteste dje pasdite kundër vaksinimit me detyrim që u mbajt poshtë zyrës së kryeministrit, Policia e Tiranës është hedhur në veprim.
Dje por edhe sot, në të gjitha hyrje-daljet e kryeqytetit është parë një prani e shtuar e bluve që në mjaftë pika kishin ngritur edhe postblloqe të improvizuara.
Kjo edhe si pasojë e një aksioni të zhvilluar në 24 orët e fundit ku në prangat e policisë ranë 11 persona, për vepra të ndryshme penale. Të arrestuarit akuzohen për vjedhje, kundërshtim të policisë, si dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Hajduti prezantohej si polic
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. B(M)., 26 vjeç, pasi ka kundërshtuar për shkak të detyrës punonjësit e policisë. Gjatë kontrollit të çantës së dorës iu gjetën dhe iu sekuestruan sende me vlerë të dyshuara të vjedhura. Gjithashtu, ky shtetas në momentin e ndalimit është prezantuar si punonjës policie.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. B., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij, iu gjet dhe sekuestrua një armë e ftohtë (dorezë metalike).
Pranga të dënuarit me 3 muaj burg
Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Nr.1, bënë kapjen dhe ndalimin E.O., 45 vjeç, sepse Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e ka dënuar me 3 muaj burgim, për veprën penale “Përdorimin me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
Arrestohen shoferët e dehur dhe pa patentë
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë i shtetasve: O. Xh., 30 vjeç, D. Ç., 33 vjeç, G. Ç., 53 vjeç, R. O., 26 vjeç, E. D., 44 vjeç, P. K., 50 vjeç, A. I., 61 vjeç dhe S. K., 27 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/