Akuzat e Francës, pas tërheqjes së ambasadorëve nga Uashingtoni dhe Kanberra, marrin një tjetër drejtim dhe shënjestra tashmë është Londra zyrtare. Teksa njofton se nuk sheh asnjë nevojë për të tërhequr përfaqësuesin diplomatik edhe në Britani, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, akuzon fqinjin për oportunizëm të vazhdueshëm.
“Ne kemi tërhequr ambasadorët tanë për të parë sesi mund ta rivlerësojmë situatën por me Britaninë, nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë gjë. Ne e njohim oportunizmin e tyre të vazhdueshëm, ndaj nuk ka nevojë të thërrasim ambasadorin tonë atje për të na e shpjeguar situatën. Në këtë çështje, Britania është thjesht goma rezervë”, deklaroi Le Drian.
Shefi i diplomacisë franceze shkon më tej kur akuzon Australinë dhe SHBA se kanë gënjyer për paktin e ri për sigurinë, duke theksuar se të dy vendet kanë thyer besimin.
“Janë thënë gënjeshtra, ka patur mashtrime, është thyer besimi, ka patur hipokrizi dhe kjo nuk është aspak mirë për ne. dhe në këtë pikë, një shenjë simbolik, ne kemi tërhequr ambasadorët”, shton ai.
Përgjigjen, për këtë krizë të vërtetë siç ajo e quan, Franca e mori nga vetë kryeministri Scott Morrison, që theksoi se Australia veproi sipas interesit të saj kombëtar.
“Sigurisht që jemi të zhgënjyer nga tërheqja e ambasadorit por e mirëkuptojmë dhe e respektojmë vendimin e Francës. Por vendimi ynë u mor për të mbrojtur interesat e sovranitetit të Australisë, edhe pse e kuptoj zhgënjimin e Francës. Por në të njëjtën kohë, duhet të mbroj interesat tona kombëtare dhe kurrë nuk do bëhem pishman që e bëra këtë”, deklaroi kryeministri australian.
Edhe Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss mbrojti qasjen e Londrës në marrëveshjen e mbrojtjes së nënshkruar me Uashingtonin dhe Kanberrën.
“Kjo marrëveshje tregon gatishmërinë e Britanisë së Madhe për të qenë të vendosur në mbrojtjen e interesave tona dhe angazhimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit Indo-Paqësor”, tha kreu i diplomacisë britanike.
Marrëveshja Aukus, që i jep Australisë teknologjinë për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore, po vë në pikëpyetje aleancat botërore, jo vetëm mes Francës dhe SHBA që për herë të parë përballen me një krizë të tillë diplomatike mes tyre. Këtë herë nuk bëhet fjalë vetëm për humbjen e dhjetëra miliardë dollarëve.
Macron telefonatë me Biden, kërkon sqarime për paktin me Australinë
Presidenti francez Emmanuel Macron do të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun amerikan Joe Biden në ditët e ardhshme.
Lajmin e bëri të ditur të dielën zëdhënësi i qeverisë franceze, në një kohë kur marrëdhëniet mes palëve janë ftohur për shkak të marrëveshjes trepalëshe SHBA-Britani-Australi.
Në një intervistë, zëdhënësi Gabriel Attal deklaroi se Macron do të kërkojë sqarime nga pala amerikane lidhur me anulimin e kontratës 40 miliardë dollarëshe mes Francës dhe Australisë, për ndërtimin e një flote nëndetësesh.
/Burimi: AFP/ Përshtati Priza.al/