Pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, kur pas 16 vitesh vendi do të ketë një kancelar të ri.
Sondazhet e fundit tregojnë për një avantazh të socialdemokratëve të SPD përballë konservatorëve të kancelares Merkel, por gara mbetet shumë e ngushtë.
Në orët e fundit të fushatës, Merkel qëndroi përkrah kandidatit të partisë së saj Armin Laschet.
“Unë ju kërkoj të bëni gjithçka që mundeni për të mbrojtur prosperitetin e Gjermanisë në vitet e ardhshme. Për të siguruar Gjermaninë. Dhe personi që mund ta bëjë këtë; i cili po bën fushatë dhe është i gatshëm për të luftuar me pasion është Armin Laschet dhe kjo është arsyeja pse të dielën duhet t’i jepni CDU-së të dyja votat”, u shpreh Merkel.
Fjalimi i Merkel u përshëndet me një përzierje duartrokitjesh dhe por edhe thirrje nga një grup protestuesish të krahut të djathtë që kundërshtojnë masat anti covid.
Kancelarja Merkel e cila është në pushtet që nga viti 2005, pas 26 shtatorit largohet nga qeverisja e vendit. Olaf Scholz kandidat i SPD është zgjedhja më e popullarizuar e votuesve gjermanë për ta pasuar atë si kancelar.
Sipas sondazheve parashikohet se SPD do të fitojë 206 vende në Bundestag, blloku CDU/CSU 185, të Gjelbrit 140, FDP dhe AfD 91 secila dhe të Majtën 49.
Një rezultat i tillë shton mundësinë e formimit të katër koalicioneve. Të gjitha partitë kanë përjashtuar mundësinë për të punuar me AFD-në populiste, të së djathtës ekstreme.
Scholz dhe të Gjelbrit kanë qëndruar larg idesë për krijimin të një koalicioni me konservatorët, duke thënë se aleanca CDU/CSU duhej të rindërtohej në opozitë pas 16 vitesh të sundimit centrist, të drejtuar nga konsensusi i Merkelit.
Por, gjithçka do të zbulohet më 26 shtator kur gjermanët u drejtohen kutive të votimit.
/Burimi: BBC/ Përshtati Priza.al/