“Thikat” janë vënë majë më majë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, sa që duket sikur nga momenti në moment, aty do të ndizet “Vaterloja” e Ballkanit.
Kjo ka nisur tashmë prej 5 ditësh, kur duket se një vendim i Albinit për reciprocitetin me targat e serbëve, çoji pa dashje “ujë në mullirin” e Beogradit. Ky i fundit duket se ka ndezur motorin e makinerisë ushtarake që ishte i fikur dhe i ndryshkur që nga koha e Milosheviçit dhe nga bombardimet e NATO-s, më 1999-ën.
E megjithatë, duket se “provokacja” është vënë në punë, dhe burrat në të dyja anët e kufirit po mprehin bajonetat.
Prej 5 ditësh tashmë kur Qeveria e Prishtinës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të Kosovës.
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në këto dy lokacione, në një kohë që dy shtetet po shkëmbejnë akuza e kundër akuza pas këtyre zhvillimeve.
Pavarësisht se situata në dukje paraqitet e qetë, shfaqja e xhandarmërisë serbe në afërsi të territorit të Kosovës në ditët e para, dhe më pas nisja e dislokimit të forcave ushtarake, ka ngritur shqetësime.
Në afërsi të Jarinjës, në territorin e Serbisë xhandarmëria serbe është vendosur në disa pika të larta, duke vrojtuar njësitet e Policisë së Kosovës.
Edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë treguar mjaft vigjilente, duke vëzhguar lëvizjet e xhandarmërisë, por që fatmirësisht nuk është shënuar ndonjë incident.
Në këto pikë-kalime, udhëtarët janë detyruar që një pjesë të rrugës ta kalojnë në këmbë për shkak të bllokimit të rrugëve. Serbët për herë të parë kanë ngritur prej dy ditësh edhe barrikada, në shenjë proteste si në vitin 2011, për të kundërshtuar shtrirjen e pushtetit të Kosovës në Veri.
Që atëherë, barrikadat janë simbol i jostabilitetit në Veri të Kosovës. Banorët lokalë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak i përforcuan barrikadat e tyre me zhavorr. Situata për momentin vazhdon të mbetet e njëjtë, pa incidente por me pengesa në të dy anët e rrugës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të mërkurën u bëri thirrje serbëve të lirojnë rrugët e bllokuara pranë vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Ai u shpreh i gatshëm të shkojë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic, në rast të një ftese nga Bashkimi Europian dhe ku te tregojë se Kosova është e gatshme ta heqë masën e reciprocitetit sa u përket targave, në qoftë se Beogradi do të bëjë të njëjtën gjë për targat e automjeteve nga Kosova.
/Priza.al/