Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi tha sot se në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë do të kërkojnë transparencë të plotë për fondet e pandemisë.
Vokshi, nisur nga gjetje të reja të një studimi të fundit mbi pandeminë në vend, theksoi se “Qeveria, jo pandemia, është armiku më i rrezikshëm!”
“Shqiptarët janë më të braktisurit dhe më të keqtrajtuarit në Europë gjatë pandemisë, – shkroi Vokshi në Fb. – Në prezantimin e gjetjeve kryesore të studimit të kryer nga “Together for Life” për monitorimin e buxhetit të pandemisë doli se nga 164 mijë qytetarë të prekur nga COVID (gjatë periudhës 2020-prill 2021), janë rimbursuar vetëm 7,183 pra vetëm për 4 % e të sëmurëve.
Nga 1 mijë dollarë shpenzoi mesatarisht cdo i sëmurë për t’u kuruar, ndërkohë që qeveria rimbursoi vetëm 40 dollarë për të sëmurë, vetëm 4% e shpenzimeve individuale.
Gjetjet e studimit të kryer nga “Together for Life” nxjerrin në pah shqetësimin e drejtë të ngritur nga PD se buxheti i shëndetësisë nuk u përdor për të ndihmuar shqiptarët, por për të pasuruar akoma më shumë klientët e Edi Ramës.
Tenderat sekretë blenë mjete mbrojtëse me 3-4 fishin e çmimeve të tregut me pakicë, por shërbimi për pacientët nuk u përmirësua, mjekët dhe stafi në qendrat shëndetësore patën trajtim qesharak, duke marrë vetëm 2 kuti me maska mbrojtëse në 18 muaj e për mjete të tjera mbrojtëse.
Kush përfitoi nga tenderat sekretë dhe josekretë gjatë pandemisë? Kush mban përgjegjësi për nivelin më të lartë të vdekshmërisë në rajon? Kjo është një çështje që nuk do ta kalojmë në heshtje! Qytetarët meritojnë respekt dhe llogaridhënie! Në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë do të kërkojmë transparencë të plotë për fondet e pandemisë,” siguroi deputetja.
/Priza.al/