Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e efektivit të policisë në Lezhë paraditen e sotme. Policia njofton se ai është qëlluar me armë dhe fillimisht ka mbetur i plagosur dhe më pas ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Tashmë po punohet për kapjen e autorit.
Në vendin e ngjarjes në ndihmë të policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
“Rreth orës 10:30 ,në Ishull Lezhë ,në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat speciale Renea, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.
/Priza.al/