Një familje zvicerane me katër anëtarë ka shpëtuar për mrekulli sot pasdite në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, kur aeroplani i tyre sportiv ka bërë një ulje të detyruar për shkak të mos hapjes së rrotave.
Avioni i vogël, kishte pësuar defekt në sistemin e karrelit (hapjes së rrotave) në momentin e uljes në pistë, ndaj për pasojë ka bërë ulje të detyruar duke rrëshqitur në pistë, pa krijuar probleme për pilotin e tre pasagjerët e tij.
Menjëherë nga stafi i emergjencave të aeroportit të Rinasit u morën masa dhe avioni u largua nga pista pasi u ndërhy fillimisht nga zjarrfikësja dhe më pas u bë edhe pastrimi i pistës nga mjetet e forta të lënë nga impaktit i aeroplanit me tokën.
Bëhet me dije se avionit i modelit “Beechcraft” nuk i’u hap rrota e parë. Fatmirësisht, piloti, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tyre, të cilët po vinin për pushime në vendin tonë, nuk kanë pësuar lëndime.
Si pasojë e incidentit, pista e avionëve në Rinas për 1 orë e 45 minuta ka mbetur e bllokuar pasi u pezulluan të gjitha fluturimet.
Tashmë trafiku është rregulluar dhe pista është hapur si për uljen, ashtu edhe për ngritjen e avionëve.
Policia Kufitare e Rinasit, ka kryer veprimet, i ka kryer testin e alkoolit pilotit ku ka rezultuar 0:00 mg/l dhe materialet do i kalojnë Prokurorisë për vlerësim.
Njoftim nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës:
“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njofton se në orën 16.15 të datës 28 Shtator 2021, një avion i vogël model “Beechcraft” me regjistrim zviceran HB-EFH, me 4 persona në bord, dy të rritur dhe dy fëmijë, të gjithë shtetas zviceranë, bëri ulje të detyruar në mes të pistës pasi pësoi një avari në sistemin e rrotave. Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar dhe të katërt gëzojnë shëndet të plotë. Pasagjerëve u dha ndihma e parë menjëherë
Pas lajmërimit të Organit Kombëtar të Investigimit të Incidenteve Ajrore dhe kryerjes së investigimit, avioni u zhvendos nga pista. Si pasojë, fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, u pezulluan për 1 orë e 45 minuta.
Për momentin gjithçka në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës i është rikthyer normalitetit.
TIA mbetet në dispozicion të çdo pasagjeri dhe falënderon të gjithë udhëtarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin”.
/Priza.al/