Bledi Çuçi shpall “Dëshmor Atdheu” Saimir Hoxhën: Kurrë nuk do të zmbrapsemi nga paligjshmëritë

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar sërish rreth vrasjes së ditës së sotme ku mbeti pa jetë një efektiv i policisë në Lezhë, Saimir Hoxha, gjatë aksionit për zbulimin e parcelave të kanabisit në Ishull Lezhë.

Çuçi i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të vijojë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa theksoi se kanë nisur procedurat për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të oficerit të rënë në krye të detyrës, 44-vjeçarit Hoxha, i cili u ekzekutua me plumb në zemër nga 21-vjeçari Aldi Rama.

Deklarata e plotë e ministrit:

Jam në ketë komunikim, në një orë të pazakontë, pasi siç jeni në dijeni, paraditen e sotme në Ishull Lezhë, ra në krye të detyrës oficeri i Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha. Nënkomisar Saimir Hoxha ishte pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.

Autori i ngjarjes, Aldi Rama, një i ri i dënuar më herët në fushën e narkotikëve, u neutralizua pas disa orësh rrethim nga forcat speciale të policisë.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e gjithë detajeve të kësaj ngjarje të rëndë, që ka prekur dhe shokuar mbarë opinionin publik.

Përfitoj nga kjo dalje publike, t’u shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella familjes së të ndjerit, miqve dhe kolegëve të tij.
Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, “Dëshmor i Atdheut” duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm.

Po kështu me këtë rast, inkurajoj fort gjithë trupën e Policisë së Shtetit dhe i shpreh mbështetjen time të pakufishme, dhe në emër të qeverisë shqiptare, për të vijuar me vendosmëri betejën e përditshme me krimin, i çfarëdolloji qoftë ai.

Dua të shpreh vetëm respekt e mirënjohje për të rënin në krye të detyrës, me premtimin se nuk do të ndalim asnjë moment të vëmë para drejtësisë këdo që guxon të ngrejë dorën e krimit mbi Policinë.

Ngjarje si kjo e sotmja, vërtet krijojnë dhimbje dhe indinjatë në zemrën e çdo shqiptari, por kurrsesi nuk na zmbrapsin apo dekurajojnë në luftën kundër paligjshmërisë. As mua si Ministër i Brendshëm dhe as trupën e Policisë së Shtetit.

Faleminderit.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *